Kardiokirurgu Edvin Prifti, do i rikthehet profesionit.
Vendimi ka hyrë në fuqi sot, pas përfundimit të afatit të pezullimit të caktuar nga gjykata pak kohë më parë, shkruan BW.
Në seancën e sotme gjykata ka bërë thjesht konstatimin e përfundimit të masës së pezullimit duke i dhënë mundësinë Priftit që të rikthehet në detyrë.
Kërkesa për rikthimin në profesion u bë nga Prifti pasi ka kaluar afati një vjeçar i masës së sigurimit dhe prokuroria nuk ka përfunduar hetimet.
Sjellim ndërmend se SPAK e akuzon mjekun Edvin Prifti për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Emri i Priftit doli gjatë hetimeve për një rast korrupsioni në gjykatën e Krujës, ku u arrestua gjyqtarja Enkeleida Hoxha. Kardiokirurgu u vu nën hetim prej muajsh, pasi kryesekretarja e këtij institucioni Manuela Mallakuçi fliste për ryshfet për operacionin e nënës së saj dhe për para që do t’i jepte Priftit. Për këtë arsye, mjeku u pezullua fillimisht nga detyra dhe më pas u vu në pranga, por më pas u lirua sërish nga gjykata./Hashtag.al