Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i PD-së në Durrës takim në një fasoneri: Pas 6 marsit konsultime për uljen e taksave vendore


Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë Durrës Luan Hoti pati këtë të mërkurë një takim me punonjësit dhe menaxheren e një fasonerie në Shkozet.

“Ju falenderoj që erdhët, që na konsideruat, që të shpresim shqetësimet tona dhe gjërat që na jep bashkia e Durrësit për momentin.

Ne jemi një fasoneri që mbajmë 34 persona, 34 familje brenda. Pjesa me e madhe kanë vite me ne por pakënaqësitë janë të mëdha për arsyen se taksat që paguajmë, taksat e bashkisë janë shumë.

E di që jemi bërë monotonë me këto ‘Ulni taksat!’ por me çmimet që vijnë nga jashtë, duke qenë që Shqipëria konsiderohet ende një botë e tretë, brenda atij çmimi ne duhet të nxjerrim taksat, rrogat e punëtorëve, duhet të nxjerrim gjithë shpenzimet. Mendoj që është mirë që taksat e bashkisë të reduktohen.”– iu drejtua menaxherja e fasonerisë Manjola Misiri, kandidatit demokrat Luan Hotit.

Misiri kërkoi edhe përmirësimin e infrastrukturës, parkimet, gjelbërimin dhe transportit publik, edhe pse paguajnë taksat por shërbimet nuk i marrin.

Hoti tha se brenda 100 ditëve të para të punës së tij në drejtimin e bashkisë, do të fillojë një konsultim me biznesin mbi taksat.

“Premtimet e mia nuk janë në ajër por me këmbë në tokë. Brenda 100 ditëve do të filloj një konsultim masiv me biznesin, nga biznesi i vogël deri te biznesi i madh. Unë mendoj që duhen përgjysmuar taksat e bashkisë për biznesin, që ta ndihmojmë biznesin. Unë do jem në bashkëbisedim gjithnjë me biznesin sepse dihet që është motorri i zhvillimit. Duke përgjysmuar taksat, punëson një njeri më shumë.”- deklaroi Hoti.

Po ashtu kandidati i PD-së për bashkinë e Durrësit tha se do bëhen përpjekje për të ndihmuar punonjësit e bizneseve me biletën e transportit publik, teksa sipas tij zhvillimi i biznesit sjell punë për të rinjtë që të mos largohen nga qyteti.

Më pas Hoti komunikoi drejtpërdrejt me punonjëset e fasonerisë, duke i pyetur ato se çfarë do të donin që të ndryshonte në Durrës.