Vendosni fjalën kyçe....

Kanosi se do i digjte me benzinë dy persona, arrestohet një person në Kavajë


Policia ka arrestuar një person në Kavajë i cili ka kanosur se do digjte me benzinë dy persona dhe ka plagosur me thikë një tjetër, ndërsa ka marrë peng një shtetas bashkë me mjetin e tij.

Efektivët e policisë i janë vënë në ndjekje të autorit i cili kishte qëlluar me thikë edhe personin e marrë peng dhe më pas i ka marrë me forcë xhiron ditore prej 120.000 lekë të rinj, shitësit të karburantit, dhe ka kërcënuar se do të digjte karburantin.

Sipas burimeve të Panorama.al, është arrestuar autori në flagrancë i identifikuar si Astrit Pukameka, për plagosjen e me thikë shtetasit Bardhyl Petja dhe Arjan Shau, si dhe për pengmarrjen e këtij të fundit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë pas marrjes se njoftimit se shtetasi A. P., në afërsi të mbikalimit në rrugë dytësore, ka kanosur se do digjte me benzinë dy persona, dhe ka plagosur me thikë shtetasin B. P., si dhe ka marrë peng shtetasin A. Sh. bashkë me mjetin e tij, organizuan punën me qëllim kapjen e këtij shtetasi.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të këtij shtetasi, i cili në fshatin Lekaj, në sheshpushimin e një karburanti, ka plagosur me thikë drejtuesin e mjetit që kishte marrë peng, shtetasin A. Sh., dhe më pas i ka marrë me forcë xhiron ditore prej 120.000 lekë të rinj, shitësit të karburantit, dhe ka kërcënuar se do të digjte karburantin.

Shërbimet e Policisë kanë arritur në kohë duke parandaluar dhe shmangur një ngjarje të rëndë kriminale me pasoja për jetën. Falë ndërhyrjes profesionale, kanë bërë të mundur neutralizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:

– A. P., 45 vjeç, për veprat penale “Kanosja”, “Plagosja e rëndë me dashje”, “Plagosja e lehtë me dashje”, “Vjedhja me dhunë”, “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.