Vendosni fjalën kyçe....

Prodhimi i energjisë nga HEC-et, ERE licencoi vetëm 5 subjekte vitin e shkuar


Vetëm pesë subjekte që kanë ndërtuar hidrocentrale në vend kanë arritur të marrin licencën për këtë aktivitet nga ana e Entit Rregullator të Energjisë (ERE).

Në regjistrin publik të këtij institucioni saktësohet se bëhet fjalë për hidrocentrale të vegjël që së bashku të gjitha kanë një kapacitet të instaluar prej 12.6 MW. Po kështu ERE ka licencuar edhe gjatë këtij viti të paktën një subjekt për një hidrocentral ka kapacitet të instaluar rreth 2MW.

Bëhet fjalë për subjekte që kanë ndërtuar HEC-e deri në 2 MW dhe që janë të gjithë koncesione jo tipike. Këto të fundit nuk kalojnë me vendim qeverie por vetëm me firmë ministrie dhe procedura që ndiqet për ta është ajo e propozimit, konsultimit dhe më pas plotësimit të të gjithë hallkave të nevojshme për ndikimet në mjedis si dhe sigurimin e lejeve përkatëse.

Të dhënat e pak viteve më parë tregonin se numri i tyre ishte rreth 100 sa i takon miratimeve por sesa prej tyre janë realizuar konkretisht shifra nuk është raportuar. Ndërkohë qeveria e cila e mbështeti për disa vite këtë nismë u duk se u tërhoq në vitin 2019 teksa kreu i qeverisë do të deklaronte se HEC-et më të vegjël se 2MW nuk kanë logjikë ekonomike dhe se ndikimi i tyre në mjedis është i dëmshëm duke zbehur efektin e prodhimit.

Edhe ekspertë të sektorit kanë deklaruar më herët se hidrocentralet e vegjël nuk sjellin përfitime në totalin e prodhimit të energjisë dhe se qeveria duhet të fokusohej tek projekte të mëdha sikurse Skavica që tashmë ka hyrë në një tjetër fazë dhe kompania Bechtel është duke bërë vlerësimet përpara zbatimit të projektit.

Në total sipas të dhënave zyrtare në një dekadë nga viti 2006-2015 janë miratuar 174 kontrata të cilat parashikojnë ndërtimin e 506 hidrocentraleve. Koncesionet e tjera pas kësaj periudhe mbeten ende të paqarta në numër ndërkohë që edhe zbatimi për totalin ka shfaqur ngërçe ku në disa raste projektet janë braktisur, shitur apo zvarritur./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor