Shefi i policisë së Otavës, Peter Sloly, ka dhënë dorëheqjen pas kritikave që ka marrë për trajtimin që i ka bërë protestave kundër vaksinave që kanë paralizuar qytetin për javë me radhë.
Protestuesit kanë pushtuar qendrën e kryeqytetit të Kanadasë për 19 ditë, duke bllokuar trafikun.
Kryeministri Justin Trudeau të hënën thirri Aktin e Emergjencave si “zgjidhjen e fundit” në përgjigje të protestave.
Bordi i Shërbimeve të Policisë së Otavës konfirmoi dorëheqjen e Sloly në një takim publik të martën. Në një deklaratë të mëpasshme në “Twitter”, Sloly mbrojti të dhënat e policisë dhe tha se ai po largohej i trishtuar.
“Që nga fillimi i kësaj demonstrate, unë kam bërë gjithçka që është e mundur për ta mbajtur këtë qytet të sigurt dhe për t’i dhënë fund kësaj krize të paprecedentë dhe të paparashikueshme.”- tha ai, citon BBC.
“Unë jam i bindur se Shërbimi Policor i Otavës është tani më i pozicionuar për t’i dhënë fund këtij okupimi.”- shtoi ai.
Sloly e kishte marrë detyrën në vitin 2019, më shumë se tre dekada pasi iu bashkua policisë së Torontos. Kontrata e tij në Otava do të përfundonte në vitin 2024.