Nga Klodian Gradeci
Kriza energjetike e vitit të shkuar e gjeti Shqipërinë, ashtu si vendet e tjera të Evropës, të papërgatitur nga rritja deri në 5-6 herë e çmimit të energjisë, në krahasim me çmimet mesatare shumëvjeçare në bursat e energjisë (referenca që përdor sektori energjetik shqiptar është Hungarian Power Exchenge, HUPX, https://hupx.hu/en/).
Reagimi i qeverisë duke shpallur në tetorin e shkuar emergjencën energjetike për të garantuar sigurinë e furnizimit, ishte një ndërhyrje financiare e domosdoshme, e cila u vijua me disa rregullime të tjera ligjore, miratuar me VKM 620 të datës 22.10.2021.
Kjo ndërhyrje ishte një ndihmë financiare/tregtare shtetërore për shoqëritë e sektorit elekto-energjetik me kapital tërësisht shtetëror, e cila garantoi një buxhet shtesë për blerje energjie deri në Prill të vitit 2022.
Shqetësimet që lindin natyrshëm janë se çfarë do të ndodhë pas prillit të sivjetëm? Niveli në HEC Fierzë aktualisht është diku tek 267m, (nuk bëhet më publike sepse konsiderohet sekret administrativ). Situata që shfaqet nuk është aspak optimiste, dhe me këtë ecuri do të vendosë në vështirësi të rëndë financiare sistemin energjetik si dhe mund të sjellë probleme në sigurimin e furnizimit me energji duke parë edhe krizën energjetike në gjithë Evropën.
Ndërkohë, KESH sh.a. ka ndërmarrë procedura prokurimi të energjisë për të garantuar furnizimin me energji të furnizuesit universal deri në thirrje për kuotim afatgjatë edhe për vitin 2024. Në të njëjtën kohë, mbështetur në VKM Nr.620 të ndryshuar në dhjetor 2021, KESH mund të marrë me qira njësi gjenerimi për të plotësuar nevojat e ngarkuara nga detyrimi i shërbimit publik ndaj furnizuesit të shërbimit universal për sasinë vjetore 4.6 TWh.
Por në të gjithë këtë situatë të vështirë askush nuk u kujtua se KESH sh.a është pronar edhe i të vetmit Termocentral në Shqipëri. Ky TEC me kapacitet 97 MWh nuk është në operim prej vitit 2012 për shkak të një defekti në tubacionin e sistemit ftohës. Për këtë defekt janë bërë vlerësimet përkatëse teknike nga Banka Botërore nëpërmjet kompanisë Mott MacDonald në shtator 2012 (dokumenti mban cilësimin konfidencial). U përgatit një raport i shkaqeve që çuan në defektin e linjës të tubit të marrjes së ujit në det dhe u parashtrua një metodë për zgjidhjen përfundimtare të defektit që do garantonte operimin e termocentralit.
Ndërkohë rritja e cmimit të naftës në 2011-2012 bëri që prodhimi i energjisë nga ky TEC të cilësohej jo i leverdisshëm. Në vite, u përgatitën studime të cilat ofronin opsione të ndryshme, duke marrë në konsideratë që çmimi mesatar vjetor, i çmimit të energjisë elektrike, ishte 65 Euro MMWh. I tillë ishte edhe studimi nga Economic Consulting Associates në shkurt të vitit 2017. Ky studim dhe të tjerë të mëparshëm të përgatitur nga ERE (lexo këtu 3), vlerësonin se operimi me lëndë djegëse gas natyror ose LNG nëpërmjet “terminalit pluskues FSRU të lëvizshëm”, do të rezultonte i leverdisshëm referuar kjo çmimeve të kohës si për energjinë elektrike në bursë, Diesel EN 590, gazit natyror dhe LNG.
Këto studime kishin skenarë variabël të varianteve optimiste dhe atyre më pak optimiste. TEC-i i Vlorës, gjithashtu, ishte pjesë integrale e Strategjisë Kombëtare të Energjisë, miratuar me vendim 480, datë 31.07.2018 (lexo këtu 4), ku cilësohej si vizion strategjik diversiteti i përmirësuar i gjenerimit në Shqipëri.
Sot, ky TEC, ende rezulton me defekt dhe në konservim. Ka në sirtar një preventiv për kostot e riparimit të këtij defekti, për gati një dekadë. Sipas të gjitha raporteve të kryera nga të huaj edhe vendas të sipërcituar, nëse TEC Vlora do ishte në operim sot, ashtu siç është projektuar me lëndë djegëse nafte D2, do të prodhonte energji më të lirë se ajo që ka blerë OSHEE dhe KESH nga Tetori 2021 deri aktualisht, apo më lirë se çmimi që ofron dhe bursa e energjisë.
Madje do ishte edhe më e lirë se energjia që ofroi tregu (tregtarët), kërkesës për ofertë të KESH për blerje energjie nga Janar-Dhjetor 2024 (lexo këtu 6). Me siguri do të orientonte më saktë KESH sh.a, që optimizimi bëhet më mirë nga kombinimi hidro-termo në pronësi të KESH, sesa optimizimi që bëri KESH nga kombinimi hidro-tregtar privat në 2021.
Sot, një litër Diesel EN 590 në çmim CIF është 75 lekë. Deri para dy javësh ishte CIF 65 lekë. Çmimet e energjisë elektrike nuk do të mund t’i kthehen realiteteve të para Shtatorit 2021, ndoshta edhe për 5 vitet e ardhshme, vlerësojnë ekspertët. Të supozosh që mund të konvertosh naftën me gas mund të jetë zgjidhje, por do marrë në konsideratë që “terminalet e lëvizshme FSRU”, mund të hasin “probleme” në ankorim, ndërkohë që sasitë e gazit natyror në Evropë, sot që shkruaj, janë limituar për shkak të kërkesës në rritje në Azi.
Janë investuar 130 milionë USD për ta ndërtuar TEC Vlorën dhe janë shpenzuar 10 vjet kosto mirëmbajtje dhe konservimi. Pse nuk provojmë të vendosim në operim atë që kemi?
Ashtu me naftë. Fitojmë kohë dhe siguri. Të lutem, zoti Kryeministër, në vizionin e strategjisë kombëtare të energjisë, siguria e furnizimit me energji ishte shtyllë kyçe dhe qëllim primar.
Imagjino një ëndërr të keqe! Je në dyqanin e bukës, ke para, por bukë nuk prodhohet më. /Hashtag.al