Vendosni fjalën kyçe....

Tritoli në pallatin e biznesmenit në Shëngjin, rikthehet në burg 21-vjeçari nga Fushë Kruja


Ndalohet i dyshuari i dytë për shpërthimin me eksploziv të ndodhur më 19 Nëntor të vitit 2020 në Shëngjin.

Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi i shpallur në kërkim Angli Stafuka, 21 vjeç, banues në Fushë Krujë. Ndaj tij gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkatërrim prone me eksploziv” “Kanosja”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

I riu është rikthyer në burg pasi Gjykata e Lartë ka prishur një vendim të Gjykatës së Apelit Shkodër, e cila e la të lirë të riun.

Kujtojmë se lidhur me këtë ngjarje ishte arrestuar një tjetër 21-vjeçar, Erald Pajtani. Të rinjtë akuzohen se i kanë vendosur lëndë plasëse në kolonat e objektit në ndërtim në pronësi të biznesmenit Liman Gjoka, ngjarje e ndodhur me 19-nëntor të vitit 2020.

Njoftimi i Policisë:

Në orët e para të mëngjesit, nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me FNSH Shkodër dhe Drejtorinë Vendore Policisë Durrës, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim A. S., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Për këtë shtetas, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin penal të datës 11.11.2021, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkatërrim prone me eksploziv” “Kanosja”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, pasi dyshohet që në datën 19.11.2020, në Shëngjin, në bashkëpunim me një shtetas tjetër (i arrestuar në dhjetor 2020, në kuadër të operacionit “Eksplozivi”), kanë vendosur lëndë shpërthyese në një subjekt privat objekt në ndërtim e sipër, në pronësi të shtetasit L. Gj., në Shëngjin, ku si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.