Vendosni fjalën kyçe....

Basha për Berishën: Po bën opozitën e opozitës, po heq vëmendjen nga afera e inceneratorëve


Në një prononcim për mediet jashtë Parlamentit, Kreu i PD-së Lulzim Basha i pyetur për ish-kryeministrin Sali Berisha, tha se akuzat e këtij të fundit kanë si qëllim të heqin vëmendjen nga beteja që po bëhet për interesin publik.

Basha tha se pavarësisht shpifjeve do i shkojnë deri në fund aferës së inceneratorëve.

“Është fati i mirë që ka vetëm një PD sepse ka vetëm një interes publik. S’mund të ketë dy interesa publikë. Këtij interesi publik i ka dalë për zot një PD.

Siç u jam përgjigjur. Çdo ditë do dëgjoni nga një akuzë të re, apo të vjetra të ricikluara. Kanë vetëm një qëllim të heqin vëmendjen nga beteja që po bëjmë për interesin publik. Jemi në këtë betejë për hallin e njerëzve.

Ata janë në këtë betejë për hallin e tyre. Për ta maskuar këtë nuk kursejnë asnjë shpifje, asnjë gënjeshtër dhe që bëhen në funksion të heqjes së vëmendjes nga e vetmja çështje, aferës së shekullit, aferës së inceneratorëve.

Një gjë e re që prodhohet nga seanca sot është që jemi ndarë në qartësisht në dy grupe, një pakicë, regjimi dhe patericat e shumicës dhe shqiptarët, paratë e të cilëve vidhen. Do i shkojmë deri në fund, pavarësisht se gjendemi në një breshëri shpifjesh denigruese, sepse kanë një interes që kjo aferë të mos shkojë deri në fund.”– deklaroi Basha.

Basha u shpreh se afera e inceneratorëve ndahet në tre grupime. Në grupin e parë sipas tij, janë qytetarët dhe Partia Demokratike që po mundohet të zbulojë këtë aferë.

Në grupin e dytë ai futi Partinë Socialiste, ndërsa në grupin e tretë ish-kryeministrin Sali Berisha, që sipas tij po bën opozitë për opozitën.

“Është një ndarje domethënëse në tre grupe. E para janë shqiptarët, sepse me paratë e atyre është bërë afera. Bashkë me to janë edhe PD, se është insistuar shumë të mbyllet.

Sa herë vijnë dëshmitarët aty, anëtarët socialistë pengojnë, duke sulmuar anëtarët e PD. Duke pamundësuar ardhjen dëshmitarëve me lloj-lloj sebepesh vetëm e vetëm që të mos bëhet transparencë. Opinioni publik është informuar që kjo është një skemë e strukturuar. Këta njerëz që kanë boshatisur llogarinë e tyre, në fakt nuk janë pronarët e vërtetë. Pronarët janë qeveritarët, nuk është Koka, por janë gjysma e kabinetit dhe kreu i qeverisë.

Ky është grupi i parë, opinioni publik dhe PD. Grupi tjetër janë ata që janë kapur me presh në duar. Një pjesë e kupolës së qeverisë, të cilët sa herë që ne denoncojmë janë të porositur të flasin për çfarëdo që u vjen në mendje për të hequr vëmendjen nga kjo aferë. Faktori i tretë nuk është pjesë e PS, por si në fjalor e qëllime janë të njëjtë, duan të zvogëlojnë zbulimin e kësaj afere. Kemi të bashkuar ata që janë të kapur në aferë, me një pjesë tjetër që i thotë vetes opozitë, e bën opozitën e opozitës. Që ka dalë sot para jush ja 3 herë edhe aty në sallë. Ai ngre pretendime, akuza, për të hequr vëmendjen nga kjo aferë.”- tha Basha.