Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar sot një takim me banorët e Njësisë Administrative Bubullimë në Lushnjë, për të mbështetur kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” Elton Bano.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Berisha shprehu vlerësimet e tij për Banon të cilin e konsideroi një njeri shembullor dhe familjar.
Sipas tij, zgjedhjet e 6 marsit nuk janë thjeshtë zgjedhje lokale, por janë fillimi i një kthese të madhe për vendin dhe shqiptarët.
“Unë vij këtu sot për të kërkuar votën tuaj për njërin prej jush, një bir të shquar të Lushnjës, një demokrat të vendosur, një njeri me virtyte, punëtor, shembullor dhe familjar, guximtar.
Vij me bindjen më të thellë se Elton Bano do ju përfaqësojë ju me dinjitet, se ai do të jetë një shërbëtor i përulur dhe i bindur i juaji dhe mbarë qytetarëve të Lushnjës. Detyra e zyrtarit është detyrë shërbëtori. Është detyrë që me përkushtim t’u ofrojë qytetarëve shërbimet më të mira të mundshme.
Duke votuar Elton Banon ju shkëputeni nga një administrim shumëvjeçar abuziv i Lushnjës dhe firmosni gjithashtu për Lushnjën dhe për Shqipërinë fillimin e një kthese të madhe, një kthese dhe një ndryshimi që në të vërtetë është jetik sot, për çdo shqiptar.”- deklaroi Berisha.