Vendosni fjalën kyçe....

Ervin Salianji: Rama ka tre seanca që i fshihet përballjes për inceneratorët, mbi 4 ministra të përfshirë


Deputeti i PD-së Ervin Salianji ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama se po i fshihet përballjes për aferën e inceneratorëve. Kjo pasi ky i fundit ka munguar në tre seanca plenare.

Gjatë një prononcimi për mediet jashtë godinës së Parlamentit, Salianji deklaroi për mediet se Rama po mbrohet nga disa ministra që nuk kanë asnjë identitet politik, apo nga ish-kolegë që pretendojnë se janë në opozitë.

“Jemi në një situatë ku Edi Rama ka tre seanca që i fshihet, struket e zhduket, për shkak të aferës korruptive. Po mbrohet nga ministra që nuk kanë asnjë identitet politik. Mbrohet nga ish-kolegë, që pretendojnë se janë në opozitë. Fokusi sot duhet të jetë për zbardhjen e kësaj afërte. Gjithçka tjetër, që ka të bëjë me heqjen e vëmendjes, i shërben Edi Ramës.

Janë të përfshirë më shumë se katër ministra në këtë aferë, madje thuajse gjithë struktura shtetërore, sekretari i kryeministrisë, disa bashki të rëndësishme, për të bërë të mundur që këto para të përdoren për të blerë zgjedhje apo intimiduar e joshur presona të caktuar në media apo në çfarëdolloje tjetër. Do të kishim një situatë tjetër të gjendjes ekonomike, me këto para. Nuk do të kishim këtë tmerr me rritjen e çmimit të karburanteve, të energjisë. Do të kishim para për të mos i zhvatur më tej bizneset.”– deklaroi Salianji.