Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për noteren Rezarta Koçi, e akuzuar se ka përfituar miliona euro nga mashtrimet nëpërmjet shitjes së banesave.
Kujtojmë se noterja Rezarta Koçi u arrestua pas dhjetra denoncimeve të qytetarëve, që ajo përvetësonte paratë e tyre në mënyrë të jashtëligjshme.
Ministria e Drejtësisë kishte kërkuar heqjen e licensës për Koçin, ndërkohë që disa muaj më parë makinës së saj iu vendos një sasi tritoli në një ndër lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit “Komuna e Parisit”, nga persona ende të paidentifikuar.
Vendimi i Apelit:
Në datën 06.07.2021, mbi bazën e materialit referues të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Në kuadër të këtij procedimi, në datën 31.05.2021, shtetasi me iniciale E.Q ka bërë kallëzim ndaj noteres me iniciale R.K, duke pretenduar se duke shpërdoruar detyrën i ka vjedhur një shumë parash.
Prokurori i kërkoi gjykatës, caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për personin nën hetim R.K, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 të K.Penal.
Me vendimin nr. 237 Akti, datë 03.02.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur:
-Caktimin e masës së sigurimi personal ndaj personit nën hetim R.K, atë të “Arrest ne burg”, – në mungesë, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
-Urdhërohet policia gjyqësore e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë si dhe forcat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë për ekzekutimin e këtij vendimi.
-Pas zbatimit të arrestit, me vendimin nr. 237/1 Akti, datë 05.02.2022 Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur;
-Vazhdimin e masës së sigurimit personal atë të “Arrest ne burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale marrë me vendimin nr. 237 Akti, datë 03.02.2022 ndaj personit nën hetim R.K.
-Urdhërohet policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga personi nën hetim R.K.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga Gjyqtare znj.Valdete Hoxha, me vendimin nr. 140 datë 17.02.2022 vendosi:
-Miratimin e vendimit nr. 237/1 Akti, datë 05.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.