Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku ka reaguar në foltoren e Kuvendit lidhur me deklaratën e deputetit të PD-së, Fredinant Xhaferaj i cili përdori termin “çupëlina” për disa nga ministret e qeverisë.
Balluku tha se një gjuhë e tillë nuk duhet përdorur, ndërsa i kujtoi Xhaferajt se ka një vajzë që mbi të gjitha e ka ekselente.
“Keni një vajzë që me sa di unë e keni ekselete e është gocë shumë e mirë dhe profesioniste.
Si baba i një vajze si e gjeni guximin të ofendoni gratë?! Unë s’e ndaj shumë mendimin gra dhe burra në parlament sepse mendoj që jemi të gjithë të votuar. E vetmja gjë që gjeni për t’i thënë qeverisë Rama është se ka gra e çupëlina tregon që jemi mirë e ju mëreni me këtë argument. I drejtohem kolegeve demokrate. A ndiheni mirë kur dëgjoni kolegët tuaj kur flasin për gratë në këtë gjuhë?
A i thoni ndonjë fjalë kolegut që të paktën të mos e përsërisë më? Kolegët tanë nuk dalin t’ju marrin nëpërkëmbë e as t’ju ofendojmë. Është kthyer në qesharake. Është mirë të mblidhni këto burra e të merren me diçka tjetër e jo për faktin se jemi gra, çupëlina apo të vjetra në moshë. Nuk është ky argumenti për të na goditur politikisht, ka shumë argumente të tjera.”– deklaroi Balluku.
Pas këtyre fjalëve të ministres, Xhaferaj reagoi përsëri duke thënë se nuk ka pse kërkon falje. Ai shpjegoi kontekstin në të cilën e ka përdorur atë term, duke iu referuar moshës së re të ministrave, që sipas tij nuk kanë kualifikimin dhe eksperiencën e duhur për detyrën.
“Në kulturën time nuk e kam problem për të kërkuar falje e ndjesë. Të jesh ministër nënkupton eksperiencë, kontribut, gjysma e zonjave ministre aty e kanë filluar për herë të parë me profesionin e ministrit. Në këtë kontekst përmenda fjalën çupëlinë, duke nënkuptuar këtu edhe vajzën time që është e shkolluar ekselente, por kurrë nuk e mendoj që për moshën që ka është në gjendje të shërbejë si ministre.”-tha Xhaferaj duke iu përgjigjur deklaratës së ministres.