Vendosni fjalën kyçe....

Kosova feston 14-vjetorin e Pavarësisë, marshimi i FSK-së në Sheshin Nënë Tereza (FOTO)


Ditën e sotme Kosova shënon 14-vjetorin e shtetësisë së saj. Pak më herët u bë ngritja solemne e flamurit të Kosovës para objektit të Qeverisë, në praninë e krerëve më të lartë shtetërorë, presidentes Vjosa Osmani, kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Me këtë rast, u bë parakalimi i kuadrateve të FSK-së dhe të Policisë së Kosovës në sheshin “Nëna Tereza”.

Më pas, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur një seancë solemne për të shënuar 14-vjetorin e shtetësisë.

Gjatë fjalës së saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se popullit të Kosovës i janë dashur shumë mund dhe sfida për ta arritur lirinë: “Ishte rezistenca e popullit tonë që trasoi hapat e mëpasshëm të luftës sonë për liri dhe për shtet.”

Osmani ka folur për dialogun me Serbinë duke theksuar se procesi do të përfundojë me njohjen reciproke.
“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që ky proces t’i shkaktojë kokëçarje shtetit tonë, dhe rrjedhimisht nuk do të pranojmë asnjë opsion që synon defunksionalizimin e shtetit tonë.”- tha Osmani, citon REL.

Presidentja ka thënë se autoritetet nuk do ta ndalen derisa ta bëjnë Kosovën shtet “ashtu siç e dëshiruan ata që ranë për të dhe çfarë e meriton secili qytetar i vendit”.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se në këtë ditë janë mirënjohës, të bashkuar dhe se reflektojnë mbi idealet e tyre: “Sot bashkohemi edhe në fuqi edhe në festë. Në këtë ditë jemi mirënjohës, jemi të bashkuar dhe reflektojmë mbi idealet tona. Në ditën e pavarësisë së republikës, e shikojmë të kaluarën dhe bashkohemi në aspiratat e të ardhmes së ngritur të popullit tonë, mirënjohës dhe të përkulur para sakrificës, krenar dhe me vullnet të pashoq për të ardhmen të cilën së bashku po e ndërtojmë.”

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës është bërë më 17 shkurt të vitit 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku merrnin pjesë 109 deputet nga gjithsej 120, Kuvendi i Kosovës shpalli njëzëri Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.