Vendosni fjalën kyçe....

“Nuk del se ka frikë mos i gjuani me vezë dhe domate”- Berisha përsërit akuzat ndaj Bashës: Prokurorët belgë do i shkojnë deri në fund


Në takimin që zhvilloi sot me banorët e Njësisë Administrative Bubullimë në Lushnjë, ish-kryeministri Sali Berisha përsëriti akuzat për kreun e PD-së, Lulzim Basha.

Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Berisha tha se Basha se ndonëse në Shqipëri çështja e tij lidhur me “Toyota Yaris” iu mbyll nga kryeministri Edi Rama, prokurorët belgë do i shkojnë deri në fund çështjes.

Mes të tjerash ai shtoi se Basha sot ka frikë të dalë para qytetarëve demokratë, se mos i gjuajnë me vezë e me domate.

 “Përveç kandidatit të Edi Ramës këtu kandidon edhe një kandidat tjetër i cili është kopje e Lul Bashës, ose përfaqësues i Lul Bravës. Unë nuk e njoh personalisht atë, por dy gjëra ju them, nëse ai e ndjente veten njeri tuajin dhe të përkushtuar ndaj jush, atëherë ai do hynte në garë siç hyri Elton Bano dhe nuk do emërohej nga Sali Berisha dhe as nga askush tjetër përveç jush. Por ai kishte frikë nga vota dhe donte emërim.

Tani ju keni kontatuar që tani, Lulzim Brava është peng kryekëput i Edi Ramës dhe kur e kam thënë këtë në fillim, njerëzit kanë qenë skeptikë, por tani kanë dalë dokumente të pakundërshtueshme. Ju të gjithë e dini çështjen ‘Toyota Yaris’. Na doli një ditë në Parlament dhe tha se do të vijnë të shtunën makina me miliona Euro. Ato erdhën. Ata që duhet t’i prisnin nuk dolën sepse u paralajmëruan nga kjo deklaratë.

Secili prej jush po të kishte bërë një deklaratë të tillë, do ishte në qeli për dekonspirim të operacionit policor. Kështu u akuzua edhe Lulzim Brava. Por dosjen ja mbylli Edi Rama dhe nuk pësoi asgjë. Por nga ana e prokurorëve të Belgjikës, unë ju garantoj se do i shkohet deri në fund dosjes. Ai është i inkriminuar. Tani nuk del askund, është mbyllur se ka frikë se mos e gjuajnë me vezë dhe mos e gjuajnë domate për shkak se u hodhi gaz lotsjellës demokratëve.

Ndaj dhe ju bëj thirrje ju të gjithë qytetarëve të Lushnjës, asnjë votë për kandidatin e Lulzim Bravës, pasi çdo votë për të është votë e humbur për PD-në. Mos ngatërroni logon, sepse logon e PD-së e ka rrëmbyer me ndihmën e Edi Ramës dhe policisë së tij dhe gjykatësve të tij. Logo e vërtetë e PD-së dhe opozitës shqiptare është kjo logo, ‘Shtëpia e Lirisë’. Ndaj me datën 6 mars votoni këtë logo, votoni numrin 3 në fletën e votimit, votoni Elton Banon. Ju garantoj se kjo votë do jetë një ogur i bardhë për ju dhe për mbarë shqiptarët. Rrofshi ju!”– deklaroi Berisha.