Vendosni fjalën kyçe....

“Rama bëri ministre disa çupëlina”- Xhaferaj futet mes debatit Berisha-Balla por ofendohen ministret, Nikolla e quan deklaratë “seksiste”


Pas deklaratave të forta të Taulant Ballës në foltoren e Kuvendit që i tha ish-kryeministrit Sali Berishës se i vjen te “fundbarku” i kalit të Skënderbeut (lexo këtu), duket se situata është tensionuar akoma më shumë në sallë.

Deputeti Ferdinand Xhaferaj, reagoi nga vendi i tij në sallë duke thënë se Edi Rama e tregoi sa lider ishte në zgjedhjet e fundit, kur bëri ministre sipas tij disa “çupëlina”. Një deklaratë e cila mesa duket i shtoi më shumë tensionet dhe kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla e konsideroi këtë një deklaratë seksiste.

Pjesë nga debati:

Xhaferaj: Unë do i lutesha kryetarit të grupit parlamentar që pavarësisht replikave dhe debatit, që me shprehje të tilla nuk është dinjitoze me pjesën e sipërme apo të fundit të barkut nuk është e hijshme të përdoren në Parlament. Se çfarë lideri është Edi Rama u duk edhe pas zgjedhjeve të fundit që mori një grup çupëlinash pa asnjë kontribut politik dhe ty kryetar i grupit parlamentar të la përsëri aty.

Nikolla: Kërkoni ndjesë. Nuk mund t’i cilësosh me gjuhë seksiste. Kërko ndjesë për zonjat ministre.

Shumë e rëndë zoti Xhaferaj.

Berisha: A mund të vendosësh paqe me këta ministre të eksituara?

Nikolla: Mos filloni edhe ju siç e keni zakon tërë kohën… Fjala për ju z.Berisha.