Vendosni fjalën kyçe....

“Të gjitha zonjat të ndërpresim seancën!” – Ferdinand Xhaferaj çohet në këmbë dhe u kërkon ndjesë zonjave në Parlament pas kritikave që i bënë


Në seancën e sotme plenare kanë vijuar debatet pas deklaratës së deputetit Ferdinand Xhaferaj, i cili tha se kryeministri Edi Rama bëri ministre disa “çupëlina” pa eksperiencë.

Deputete të krahut të majtë dhe të djathtë, secila sipas mënyrës së tyre e kritikuan Xhaferajn për termin e përdorur duke e nxitur të kërkojë ndjesë.

Madje deputetja socialiste Blerina Gjylameti u bëri thirrje të gjitha grave të ndërpresin seancën nëse nuk dëgjonin një ndjesë nga ana e deputetit.

Pasi i dëgjoi të gjitha zonjat me radhë, Xhaferaj në fund u ngrit në këmbë dhe këmbënguli që fjalët e tij janë nxjerrë nga konteksti, megjithatë në fund kërkoi ndjesë. Ai tha se të paktën ky debat shërbeu për të sensibilizuar për një çështje si seksizmi.

“Faleminderit të gjitha zonjave. Foli pak ministrja Kumbaro. Unë përveç të tjerave feminizmin e jap leksion në universitet. Fjalët u nxorrën nga konteksti. Por edhe pse fjalët u nxorrën nga konteksti, këto 30 minuta shërbyen për të folur dhe sensibilizuar për një çështje seksizmi që në Shqipëri vërtetë ekziston dhe duhet të bëjmë hapa përpara. Unë kërkoj ndjesë.”– janë fjalët e Xhaferaj. Pas këtyre të gjitha zonjat duartrokitën.

 

Kritikat e zonjave në Kuvend:

Ogerta Manastirliu: U bë e përsëritur që grave në Kuvend i etiketohen lloj-lloj epitetesh dhe kjo është  e papranueshme. Sot ndihemi të fyera në dinjitet që një pjese prej jush mbase i mungon. Sot është një ditë që sot duhet të bëhet mësim që kur ofendon duhet të kërkosh falje. Ne këtu nuk do flasim për asgjë tjetër veçse për këtë dinjitet që po fyhet për gratë. Sot presim falje nga z.Xhaferraj për atë etiketim që bëri.

Mesila Doda: Ngrihen burrat e përdorin një fjalor misogjen. Dënoj nga të gjitha krahët një burrë që flet ndaj grave. Jo vetëm Xhaferaj ishte gabim, por dhe fjala që kryeministri përdor në lidhje me fjalët e opozitës, kur nuk i pëlqen ndonjë fjalë, është një fjalor misogjen. Të nderuara zonja ngrihuni në nivelin e dinjitetit që iu ka dhënë Zoti. Mos i etiketoni gratë si qenie të shkallës së dytë, më të ulëta se burrat. Mos atakoni në bazë të gjinisë, sepse na ka dhënë Zoti të barabartë. Ndaj unë sot dënoj fjalën e kolegut tim, që duhet të kërkojë patjetër ndjesë. Por, ftoj zonjat ministre dhe zonjat e PS sot që të dënojë fjalët e kryeministrit, që sa herë në fushatë na ka etiketuar dhe nxjerrë fjalët tona. Gratë duhet të bëhen bashkë.

Erisa Xhixho: Gjuha seksiste e një kolegu për mua është e papranueshme. Çdo grua meriton respekt dhe vërejtjen e kam nga të dy krahët politikë sepse kemi parë edhe nga maxhoranca bullizëm ndaj grave dhe nga opozitat dhe duhet ët vihet një standard që asnjë grua që merret me politikë mos të bullizohet. jemi gati për debat e argumenta, por kur vjen puna për bullizëm e seksizëm në këtë parlament nuk duhet ta pranojmë nga askush, as nga kolegët tanë burra. Duhet të vendoset një standard tjetër në këtë parlament.

Oriola Pampuri: Ju kërkoni një sjellje që ju vetë nuk arrini ta zbatoni, ne kemi parë sjellje të kryeministri nga të cilat të gjitha ne jemi ndjerë keq dhe kur ju të ndaloni sjelljet e kryeministrit ndaj jush, ngrini zërin për më shumë. Kjo grugule bëhet për një arsye të madhe, për të zhvendosur vëmendjen nga një çështje e madhe. Kemi çështjen e inceneratorëve dhe ata që ndihen të frikësuar, merren me një fjalë. Zoti Xhaferraj është nga ata kolegë që ka respektin maksimal ndaj grave.

Mirela Kumbaro: Ne kërkojmë një ndjesë publike. Kuptojmë se sa i thellë është halli i seksizmit që të bën kaq të vështirë për të kërkuar ndjesë në mejdan që e keni konsideruar të burrave. Për ne zonjat që nuk e kemi moshën për çuplinë ta merrnim si kompliment. Por se patët në këtë kontekst, u treguat përbuzës, seksistë e arrogant. Këtu ka pasur deputetë, kryetar grupesh parlamentar në moshën e vajzës tuaj e timen. Ne i kemi konsideruar ato si autoritete të dhëna me mandate të sovranit. Pse nëse janë zonja janë të papjekura? Është anti-Kushtetuese. Moshën e përcakton Kushtetuta. Andia, dhe moshatarë të tjerë të Andias kanë qenë në këto karrige. Kërkoni një ndjesë, jo më për ne, sepse përderisa jemi në këto tryeza kemi bërë mjaftueshëm rrugë për t’ia dalë. Kërkoni ndjesë për të vendosur standardin. Pres ndjesën.

Blerina Gjylameti: Nuk e kuptoj sa e vështirë është për një zotëri që të bëjë të vetmen gjë që e dallon nga niveli i xhentilesës, edhe për nga mosha që ka, dhe për nga fakti që është babai i një vajze, është bashkëshorti i një zonje. Nuk e kuptoj se sa e vështirë është të kërkojë ndjesë. Përdor një gjuhë të papranueshme dhe më pak e kuptoj kur zonjat e krahut majtas tonë gëzojnë dhe thonë se kjo gjuhë është përdorur më herët. Tenton të cenojë dinjitetin e grave këtu. Nuk është hera e parë që ka patur precedent të tillë në këtë sallë, por mendova se duhet të ishte hera e fundit z.Xhaferraj. Unë mendova se nuk duhet t’ju bëj thirrje për të kërkuar ndjesë. Të mblidhemi të gjitha zonjat e të ndërpresim seancën nëse Xhaferraj nuk kërkon ndjesë. Nuk ka lidhje as mosha, as eksperienca.