Vendosni fjalën kyçe....

Vendimi për Presidentin, reagon ambasada e SHBA-ve: Kushtetuesja po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj duke dhënë vendime të pavarura


Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të marrë mbrëmjen e kaluar për mos shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta.

Në një deklaratë për mediet, Ambasada e SHBA-ve thotë se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke dhënë vendime që pasqyrojnë pavarësi dhe integritet.

“Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila u bë funksionale në dhjetor të vitit 2020, po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke shqyrtuar faktet dhe argumentet e paraqitura nga palët përkatëse, duke diskutuar mbi këto fakte dhe argumente në bazë të Kushtetutës dhe duke dhënë vendime që pasqyrojnë pavarësi dhe integritet.

Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi, përfshi një gjyqësor profesional, të pavarur, si institucion thelbësor për të garantuar shtetin ligjor, si dhe ndarjen dhe balancimin e pushteteve.”- thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve.