Vendosni fjalën kyçe....

Administratori i Inceneratorit të Fierit dëshmon në Komisioni Hetimor/ Zhupa: E shpërblyet punonjësin me 9 milionë lekë, kolegët këtu janë ziliqarë për pagën e tij


Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor po dëshmon administratori i “Integrated Technology”, Loran Dusha, lidhur me procedurat e ndjekura për inceneratorin e Fierit.

Në këtë mbledhje, deputetja e PD-së e zu ngushtë administratorin e inceneratorit të Fierit, duke e pyetur atë për pagat e punonjësve të inceneratorit.

Konkretisht Zhupa e pyeti atë për shpërblimin prej 9 milionë lekësh, që kompania i kishte bërë një punonjësi. Pyetjes së Zhupës, Dusha iu përgjigj se pounonjësi është shpërblyer për performancë të mirë në punë.

Pjesë nga diskutimet në Komision:

Pëllumbi: Jeni thirrur nga organet e akuzës ju ose punonjësit?
Administratori: Në dijeninë time jo.
Pëllumbi: Kur ishim në impiant, na thatë se për 35-40 ditë mendohet të mbarojë kolaudimi, janë ende në terren ata që bëjnë kolaudimin?
Administratori: Po vazhdojnë.
Pëllumbi: Vazhdon puna?
Administratori: Po vazhdon.
Zhupa: A e deklaroni pagën të plotë të punonjësve?
Administratori: Po.
Zhupa: Punonjësi juaj, i pyetur për pagën, deklaroi se nuk merr pagën që ju deklaroni në Tatime, a keni dijeni për këtë?
Deputeti i PS: Mund të jetë demokrat ai.
Administratori: Z. Arjan Myrteza e ka pagën më të vogël se paga ime. Ai ka marrë një bonus.

Zhupa: Bonus më të lartë se paga e administratorit, duhet të ketë ndonjë shpërblim të veçantë, që e shpërbleni aq shumë.
Administratori: Është shpërblyer për performancë të mirë në punë.
Zhupa: Po i merrni nga paratë publike, ndaj na bën përshtypje 9 milionë.
Administratori: Unë e dhashë përgjigjen.
Zhupa: Kolegët e mi po bëjnë zhurmë, se janë ziliqarë për pagën e punonjësit tuaj. Në vitin 2018 keni deklaruar fitim zero, ku janë çuar paratë?
Administratori: Nuk e mbaj mend, më duhet ta konfirmoj.
Zhupa: Gjatë kohës që keni qenë administrator a keni bërë tërheqje cash në banka, jo vetëm transaksione bankare?
Administratori: Nuk e mbaj mend.
Zhupa: A ka autorizuar kompania juaj persona të tjerë për të kryer tërheqje parash cash nga llogaritë e kompanisë?
Administratori: Nuk kam dijeni.
Zhupa: Po si nuk e dini, ju jeni administratori.
Administratori: Nuk ka një person tjetër që mund t’i tërheqë.
Zhupa: Pra, as pronarët nuk mund të tërheqin shuma?
Administratori: Nuk më kujtohet zonjë. Nuk mund të jap dot një përgjigje në këtë moment.
Zhupa: Është rast unik që administratorit nuk i kujtohet dhe nuk e di kush i tërheq lekët e kompanisë.