Vendosni fjalën kyçe....

Administratorja e inceneratorit të Tiranës nuk erdhi, Tabaku: E kemi njoftuar tre herë, do paraqitet me polici


Administratorja e Inceneratorit të Tiranës Ariola Kodra, e cila ishte thirrur sot për të sjellë disa informacioni në Komisionin Hetimor nuk është paraqitur.

Kryetarja e Komisionit Jorida Tabaku ka deklaruar se pavarësisht se nuk u paraqit në mëngjes sikurse ishte lënë më parë, e thirrën përsëri përmes postës speciale, e kanë marrë disa herë në telefon por ajonuk është përgjigjur.

“Diskutuam sot në mëngjes për praninë e znj.Ariola Kodra. E pritëm në mëngjes, nuk erdhi. E ftuam në orën 15:00. Stafi i Kuvendit dhe posta e posaçme e Kuvendit shkuan në inceneratorin e Tiranës i cili është i mbyllur. Punonjësi ka mbyllur derën dhe tha që nuk ndodhen asnjë nga stafi i inceneratorit i pranishëm në kantier.

I kemi nisur një kërkesë tjetër me postën speciale znj.Ariola Kodra. E kemi marrë disa herë në telefon. Do ta ripërsërisim kërkesën tonë që ajo të jetë këtu pjesë.

Ndërkohë që na ka sjellë një pjesë të informacionit që kërkuam ditën e premte. I bëjmë thirrje znj.Ariola Kodra, punonjësve të inceneratorit të Tiranës të hapin derën, të pranojnë shkresën e Kuvendit, janë letra zyrtare të shtetit shqiptar. Ju lutem merrni njoftimin për të ardhur për të dëshmuar!”– deklaroi Tabaku në Komision.

Kujtojmë se më herët ajo deklaroi se nëse Kodra nuk do përgjigjej përsëri në drekë, do të kërkonte ndihmën e Policisë që ajo të paqitet me forcë në Komision.

“Zonjën Kodra megjithëse kemi 20 minuta që e presim, nuk është shfaqur në Komision. Unë i kërkoj stafit të Komisionit Hetimor që të vendosemi në kontakt me të. Të gjejmë një numër telefoni, ta rithërrasim edhe një herë në drekë, në thirrjen e tretë, nëse nuk paraqitet, për zonjën Kodra ne do të bëjmë të njëjtën procedurë që propozuam për z. Loran Dusha, do të njoftojmë shërbimet e Policisë së Shtetit për ta sjellë këtu me forcë.”- shprehej më herët Tabaku.