Kryedemokrati Lulzim Basha ka publikuar disa foto nga takimi që pati sot në Durrës me Dhomën e Tregtisë dhe përfaqësues të bizneseve.
Basha përmend kandidatin e PD-së për bashkinë e Durrësit, Luan Hotin, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në këtë takim, duke e quajtur atë shembullin më të mirë të një kulture të re politike.
“Bashkë me kryetarin e ri të Bashkise së Durrësit, Luan Hoti diskutuam me drejtuesit e bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit për sfidat dhe potencialet e jashtëzakonshme të këtij qyteti të mrekullueshëm.
Dialogu me qytetarët dhe faktorët ekonomikë është modeli i politikës sonë me fytyrë njerëzore, që dëgjon dhe shërben me qytetari, larg konfliktit, baltosjes dhe gjuhës përçarëse.
Kandidati i Partia Demokratike e Shqipërisë për Durrësin është shembulli më i mirë i kësaj kulture politike, që përmes vlerave dhe shpirtit sipërmarrës, do shërbejë me integritet për të garantuar normalitetin e munguar dhe një zhvillim gjithëpërfshirës të qytetit.”- shkruan Basha.
Në takimin e sotëm, Hoti foli lidhur me programin e tij për drejtimin e qytetit duke përmendur disa nga pikat me të cilat do të punojë. Ai theksoi se ishte program konkret pasi për shkak të afatit të shkurtër 1 vit nuk donte të dilte me premtime që s’i mban dot. Hoti tha se ndoshta nuk shquhet për orator, por punëve të tij ai u shkon deri në fund.