Një grua nga Florida dyshohet se ka shpenzuar një pjesë të huasë së saj prej 15,000 dollarësh si ndihmë e qeverisë për Covid-19 për të shlyer llogaritë e vjetra dhe për të punësuar një vrasës për të eliminuar një grua që kishte dalë me ish-të dashurin e saj.
Lajmi u raportua nga ‘The Miami Herald’, duke cituar një urdhërarresti të policisë së Miami të lëshuar më 9 shkurt.
E dyshuara, e identifikuar si Jasmine Martinez, 33 vjeç, mori një hua si pjesë e Programit të Mbrojtjes së Pagave të qeverisë amerikane më 20 prill 2021, vetëm dy javë para vrasjes së Le’Shonte Jones, 24, e cila u qëllua për vdekje gjatë rrugës për në shtëpi, thuhej në fletarrest.
Martinez gjithashtu bëri tërheqje nga llogaria e saj bankare në vlerën e më shumë se 10,000 dollarë vetëm disa ditë para vrasjes, shtoi policia.
Javën e kaluar, oficerët e zbatimit të ligjit arrestuan gjithashtu një burrë të quajtur Javon Carter, një ish-i dënuar që besohet të jetë vrasësi. Policia ka gjetur një video në telefonin e tij që e tregonte duke numëruar ‘një shumë të madhe’ parash vetëm disa orë pas vrasjes.
Carter u akuzua për vrasje të shkallës së parë dhe tentativë për vrasje të vajzës trevjeçare të Le’Shonte Jones, me të cilën ajo po ecte në momentin e incidentit. Policia beson se vrasja e Jones ishte një kulm i një rivaliteti të gjatë mes dy grave.