Më shumë se një milion refugjatë mund të tentojnë të hyjnë në BE nëse Rusia pushton Ukrainën, ka parashikuar një zyrtar i lartë në Bruksel, duke zbuluar se blloku tashmë ka filluar të bëjë përgatitjet për atë që mund të kthehet në një krizë humanitare.
Duke folur për të përditshmen gjermane Die Welt, nënpresidenti i Komisionit të BE-së Margaritis Schinas zbuloi gjithashtu se aktualisht janë rreth 20 mijë qytetarë të BE-së që jetojnë në Ukrainë, shumë prej të cilëve do të kishin nevojë për ndihmë nëse do të zhvendoseshin nga konflikti.
“Një përshkallëzim i konfliktit në Ukrainë do të përbënte një kërcënim të madh për sigurinë evropiane me pasoja globale.”– tha Schinas të premten.
Megjithatë, ndërsa BE-ja është e përgatitur të “mobilizojë ndihma të konsiderueshme humanitare dhe të ndihmojë me mbrojtjen civile”, Schinas parashikoi efekte serioze në rast të një ofensive ruse.
“Vlerësohet se mund të vijnë nga 20 mijë deri në më shumë se një milion refugjatë.”- pohoi Schinas, duke nënvizuar se sa në presion do të viheshin shtetet e BE-së në rast të evakuimit masiv të Ukrainës.
Schinas shprehu gjithashtu shqetësime në lidhje me furnizimet me energji elektrike dhe mbi sigurinë kibernetike, duke sugjeruar se “planet emergjente” të BE-së për të trajtuar pasojat e pushtimit mund të ushtrojnë një tendosje të konsiderueshme në burimet dhe infrastrukturën e kontinentit. Tashmë është ngritur një grup pune, vuri në dukje ai. Schinas e krahasoi krizën e mundshme të refugjatëve me situatën në Bjellorusi, kur BE-ja akuzoi Minskun për instrumentalizimin e emigrantëve si një mjet për të ushtruar qëllimisht presion moral mbi vendimmarrësit në Bruksel.