Kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe kandidati i kësaj force politike për bashkinë e Durrësit, Luan Hoti, po marrin pjesë sot në një takim të organizuar nga Dhoma e Tregtisë Durrës, me përfaqësues të biznesit të qytetit bregdetar.
Gjatë fjalës së tij lidhur me programin për drejtimin e qytetit, Hoti përmendi disa nga pikat me të cilat do të punojë. Ai tha se ndoshta nuk shquhet për orator, por punëve të tij ai u shkon deri në fund.
Mes të tjerash Hoti tha se Këshilli Bashkiak i Durrësit ka marrë një vendim për dyfishimin e të gjitha taksave, një vendim që nuk ua ka bërë me dije ende bizneseve.
“Faleminderti të nderuar anëtarë të Dhomës, ju falenderoj nga zemra për këtë pjesëmarrje e në këtë bashkëbisedim për të dëgjuar për programin që unë kam për qytetin.
Unë jam një nga ju, jetoj, punoj në Durrës. Siç e tha edhe kryetari i dhomës, jam edhe anëtar i Dhomës dhe shqetësimet e biznesit dhe qytetarëve mendoj se i di mirë.
Në programin tim, ne jemi përpjekut që të jemi sa më konkretë sepse edhe afati është tepër i shkurtër, një vit, dhe të mos dalim me premtime që s’mund t’i realizojmë.
Disa nga pikat e programit tonë janë pastrimi, turizmi, infrasteuktura urbane dhe bashkëbisedimi me qytetarët për fatin e Velierës që të gjithë e dimë.
Duke qenë se jemi këtu me bizneset, jam marrë edhe me taksat dhe nuk e di sa jeni në dijeni, në dhjetor të vitit 2021 nga Këshilli Bashkiak, është marrë një vendim për dyfishimin e taksave. Të gjithë taksave. Po!
Nuk e di sa Dhoma është në dijeni. Taksa e pastrimit, taksa e gjelbërimit, tarifat e pastrimit e gjelbërimit, taksa e ndërtimit… dhe është me vendimin e dhjetorit. Nuk është bërë e ditur pavarësisht se është marrë si vendim. Mund ta kenë publikuar në internet. Por nga informacionet që kemi marrë në biseda të ndryshme, ajo po përdoret tani për zgjedhje. Po presin ta publikojnë pas 6 Marsit, si një nga mënyrat që i përdorin përgjithësisht në fushata zgjedhore.
Çfarë dua t’ju them? Unë kam ardhur t’ju dëgjoj. Dhe unë do dëgjoj jo vetëm biznesin, por të gjithë qytetarët. Do jem zbatues i vendimeve që do marr bashkë me qytetarët. Nuk jam ndonjë orator për të thënë fjalë të mëdha, jam një njeri që punoj dhe në të gjitha bizneset që kam patur ata që më njohin, e dinë se unë di t’u shkoj punëve të mia deri në fund. Do jem bashkë me ju t’ju dëgjoj.”– tha Hoti.