Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare shkrimtari i njohur, Bardhyl Londo


Ndahet nga jeta në moshën 74-vjeçare shkrimtari i njohur Bardhyl Londo, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë nga e cila vuante prej kohësh.

Shkrimtari prej dy muajsh ishte i shtruar në spitalin Onkologjik në Tiranë. Gjatë 10 ditëve të fundit për shkak se situata e tij ishte përkeqësuar, është mbajtur në reanimacion, ku edhe dha frymën e fundit.

Një prej miqve të tij, shkrimtari Andon Andoni fliste për shëndetin e Londos përmes një postimi në rrjetet sociale.

 “Miku im i mirë, poeti i angazhuar, liriku i thekur plot ëmbëlsi, autori i dhjetra librave me poezi, që solli ujin dhe mushtin e vendlindjes Përmetit në Tiranë dhe më gjerë, Bardh Londo është duke luftuar në këto ditë të vështira me vdekjen. Lutem për ty Bardh.” -shkruante Andoni.

Akademia e Shkencave pas marrjes së lajmit të hidhur e ka nderuar Bardhyl Londo me një minutë heshtje.

Bardhyl Londo ka lindur më 1948 ne Përmet. Ai vazhdoi studimet për Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Krijmtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

Londo u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë, pasi për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike.