Vendosni fjalën kyçe....

Paralajmëron Basha: Rrota e madhe do lëvizë mirë, SPAK dhe faktori ndërkombëtar janë në dijeni për 25 prillin


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar politikën shqiptare se “rrota ka filluar të lëvizë dhe do të lëvizë mirë”.

Sipas tij të gjithë e dinë se çfarë ka ndodhur në zgjedhjet e 25 prillit dhe shtoi që si SPAK, edhe faktori ndërkombëtar po bëjnë përpjekjet që të mos përfundojë si dosja 339 dhe 184.

“Prandaj ka 30 vjet që në këtë aspekt, e në veçanti këto 10 vitet e fundit, këto 8 vitet e fundit në veçanti, e shesin tallashin, ua shesin tallashin njerëzve, si është ajo shprehja, për ushqim. Por njerëzit nuk hanë tallash, por as nuk kanë pse të largohen, nga kjo perlë, siç është Durrësi. Nga ky vend i bekuar siç është Shqipëria! Është në dorën tonë të kërkojmë llogari, të ballafaqohemi me të vërtetat, të vendosim me votë. Të mos rrimë në shtëpi, as me 6 mars, pavarësisht se janë zgjedhje të pjesshme, pavarësisht se janë me atë mandat që janë, por vota është një instrument i rëndësishëm. 

E dimë të gjithë se çfarë ka ndodhur me 25 prill, e dinë të gjithë, e dinë edhe SPAK-u, edhe faktorët ndërkombëtarë, që po bën të gjitha përpjekjet, që kësaj radhë, të mos përfundojnë si 339 jo 334. Rrota është e madhe! Ndoshta ka filluar të lëvizë pak ngadalë, por kësaj radhë do të lëvizë mirë. Nuk do lëvizë deri me 6 mars ndoshta, dhe 6 marsi në këtë kuptim do jetë një test i qartë i kësaj qeverisje, nuk besoj se do ta kalojë, por prapëseprapë pavarësisht se çfarë bëjnë ata, ata aq janë, shumica janë qytetarët. Detyra jonë është ti ndërgjegjësojmë qytetarët, që e kanë në dorë. Edhe zhvillimin ekonomik të Durrësit e kanë ata në dorë, duke i dhënë politikës një fytyrë njerëzore. Që ti kthejnë institucionet Durrësit!

Po i kthyem institucionet Durrësit, nuk do ta ketë të lehtë qeveria e Tiranës, të bëjë numra, siç bënë me kullën e ‘Habibit’, me projektin e Durrësit. Jo jo! Do detyrohet të ulet, të shtrojë versionet, në qoftë se ka, e ti shkojë deri në fund konsultimit me qytetarët. Po e them në parim, se nuk besoj se do ketë kohë t’i bëjë të gjitha këto, se besoj dhe jam i bindur që, zhvillimet do të jenë të shpejta, dhe do të jenë në drejtimin e rikthimit të Durrësit dhe Shqipërisë , tek durrsakët dhe tek shqiptarët. U zgjata pak dhe natyrisht që jam i hapur për pyetje më specifike, për çështje më specifike. Por siç e thashë, ky është momenti për të dëgjuar nga kandidati. Nga bashkëqytetari juaj, nga kolegu i shumë prej jush, nga ai të cilit i kemi besuar, në këtë moment, të paparashikuar duhet të themi, si një anomali e një anomalie, anomalisë së 30 qershorit të 2019-tës, i kemi besuar këtë mision: kthimin e fytyrës njerëzore të politikës. Një politikë me fytyrë njerëzore, që si mision ka, t’i kthejë institucionet shqiptarëve, t’i kthejë institucionet durrsakëve, si parakusht për normalitet dhe për një zhvillim ekonomik të mbarë. Ju faleminderit!”- tha Basha.

Këtë deklaratë Basha e bëri nga Durrësi, gjatë një takimi me Dhomën e Tregtisë, ku i pranishëm ishte edhe kandidati i tij në zgjedhjet e 6 marsit, Luan Hoti.