Vendosni fjalën kyçe....

Shalsi pyetet nga gazetarët për marrjen në pyetje nga SPAK të Bllakos e Subashit: PS nuk bëhet mburojë për askënd


Eduart Shalsi ka dalë pak më herët nënjë konferencë për mediet, ku foli lidhur me punën e Komisionit Hetimor për Inceneratorët.

Sipas tij, qëndrimet e deputetëve të opozitës po komprometojnë rëndë procesin hetimor të SPAK-ut, lidhur me aferat e inceneratorëve.

Në këtë konferencë për mediet, Shalsi u pyet nga gazetarët lidhur me  marrjen në pyetje nga SPAK-u të deputetit të PS-së Alqi Bllako dhe kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi.

Shalsi deklaroi se PD nuk bëhet mburojë e askujt që ka probleme me ligjin.

“E thashë që ne jemi iniciuesit e reformës në drejtësi, kemi deklaruar qartazi që PS nuk bëhet mburojë për askënd që ka probleme me ligjin. Këtë e kemi dëshmuar me vepra, ndryshe nga kohët kur prokurorët shantazhoheshin, gjykatësit anatemoheshin, apo gjuha krejtësisht e palejueshme e Sali Berishës. Kemi dy kohë, njërën kur pengohej drejtësia të bënte punën e saj, dhe tani që drejtësia inkurajohet të bëjë punën e saj. Qëndrimi ynë është i qartë dhe i paekuivokë, mbështesim vetëm drejtësinë.”- iu përgjigj Shalsi pyetjes së gazetarëve.

Gjatë fjalës së tij Shalsi akuzoi opozitën se po ngatërronte rolet në Komisionin Parlamentar dhe se mbi të gjitha po kompromentonte edhe procesin hetimor të nsiur nga SPAK mbi inceneratorët.

“Ky Komision hera herës jo thjesht po konfondon rolet, por me qëndrimet e deputetëve të opozitës druaj se po kompromentojnë rëndë edhe procesin hetimor.

Nuk po flas këtu për deklaratat e abuzimeve të 400 e ca milionë eurove, sepse shifrat matematikore janë tashmë një histori biblike dhe tashmë e njohur për të gjithë shqiptarët, që nga ngatërrimi i tabelave të shumëzimit, por ajo që na shqetëson është mungesa e theksuar e seriozitetit të sjelljes në Komisionin Hetimor duke e qesharakëzuar, duke ngatërruar përgjegjësitë dhe ndaj kemi qenë të shqetësuar me dëshmitarët, një pjesë e të cilëve janë të thirrur në SPAK.

Sot të gjithë e dimë që kemi njerëz të arrestuar, të akuzuar, e pra ajo që duhet të sigurojmë e po përpiqemi maksimalisht është që të japim mbështetjen tonë Komisionit Hetimor, por pa ngatërruar rolet dhe pa cënuar rolin e rëndësishëm që kanë marrë organet e drejtësisë.

Deh përditë po thërriten dëshmitarë, përditë po kërkohen informacione. Përditë njerëzit duan të besojnë tek drejtësia.”- tha Shalsi.