Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku paralajmëron sërish: Do bëjmë kallëzime për personat që nuk sjellin informacion në Komisionin Hetimor


Kryetarja e Komisionit Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku ka paralajmëruar për kallëzime penale personat që nuk sjellin informacion apo nuk i përgjigjen ftesës së këtij komisioni për të dëshmuar.

Kjo deklaratë e Tabakut vjen pasi administratorja e inceneratorit të Elbasanit, zonja Ariola Kodra nuk u paraqit sot në mbledhjen e Komisionit Hetimor, ku ishte thirrur për të sjellë disa informacione shtesë.

Mes të tjerash Tabaku i bëri thirrje kolegëve të PS-së në këtë Komision, që të pranonin të dëshmojë Artan Rama.

 “Zonja Ariola Kodra në dëshminë e saj dha disa fakte të rëndësishme, për faktet e tjera kishte një amnezi të përkohshme të cilën ne kishim shpresuar që pas 5 ditësh reflektimi zonjës mund t’i kthehej memoria. Kemi marrë ndërkohë fakte të tjera shtesë.

Dua të informoj publikun që pas njoftimit që unë bëra për të bërë kallëzime për personat që nuk sjellin informacion, ne kemi një fluks të jashtëzakonshëm informacionesh që sigurisht do t’i përdorim.

Njëkohësisht i kërkoj PS kërkesën për z. Artan Rama për të dëshmuar në këtë Komision. Z. Artan Rama ka disa ditë që vjen për të dëshmuar në Komision. Besoj se PS ka reflektuar dhe e ripërsëris kërkesën për z. Artan Rama. Në orën 10.00 do të vijë Sekretarja e Përgjithshme e Infrastrukturës dhe Transportit, zonja Viola Haxhiademi. Në orën 12.00 do të lidhemi me Administratorin e Fierit z. Loran Dusha, ndërkohë që në orën 13.00 dhe 14.00 kemi dy përfaqësues të konçesionit z. Florian Muça dhe znj Valbona Ballgjini. Do kisha dëshirë të procedonim sa më shpejt me dëshmitë.”– tha Tabaku.