Vendosni fjalën kyçe....

Trageti i linjës Greqi-Itali/ Peleshi nxjerr pamjet: Në aksion për shuarjen e flakëve edhe pala shqiptare


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka publikuar pamjet nga trageti në flakë i linjës Greqi-Itali, duke thënë se operacionit për shuarjen e flakëve i janë bashkuar edhe forcat detare të Shqipërisë.

Në pamjet e publikuara nga ministri shqiptar, shihet tragenti gjigant mes flakëve.

 “Dy anijet të Forcës Detare shqiptare i janë bashkuar përpjekjeve për shuarjen zjarrit në tragetin e linjës Brindizi-Gumenicë të përfshirë nga flakët mbrëmjen e djeshme në det. Fillimisht zjarri ka rënë jashtë ujërave tona territorial, por tashmë operacioni po kryhet në ujërat tona territorial, 5 milje larg Porto Palermos. Në operacionin që po drejtohet nga pala greke janë angazhuar edhe anijet e Forcës sonë Detare, Butrinti dhe ajo patrulluese R-117. Më herët pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit janë evakuuar nga anija.”– shkruan ministri Peleshi.

Trageti i linjës Greqi-Itali, ‘Euroferry Olympia‘ është përfshirë nga flakët rreth orës 04:30 mëngjesin e sotëm.

Gazeta Protothema raportonte më herët se në bordin e anijes ku shpërtheu zjarri ndodheshin gjithsej 290 persona (239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit). Mes tyre 22 grekë (15 pasagjerë dhe 7 anëtarë ekuipazhi) dhe pjesa tjetër ishin të gjithë të huaj. Sipas kësaj gazete, dy persona janë bllokuar në anije. Dy të bllokuarit janë të huaj. Ata janë bllokuar në garazh, ndërsa komunikojnë me autoritetet për të arritur në kuvertë dhe prej andej për t’u marrë me helikopter. 11 persona ndërkohë rezultojnë të zhdukur.