Vendosni fjalën kyçe....

Vladimir Putin: Koha që Ukraina t’i japë fund luftës së Donbasit


Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar se Ukraina duhet të fillojë bisedimet me liderët e dy rajonet e shkëputura në lindjen e vendit të shkatërruar nga lufta, për t’i dhënë fund luftimeve të ashpra që janë përshkallëzuar ditët e fundit.

Pas një takimi që pati sot me udhëheqësin bjellorus Alexander Lukashenko, Putin tha se Kievi duhet të ulet me përfaqësuesit e republikave të vetëshpallura të Donbasit për të siguruar një armëpushim të përhershëm.

Presidenti rus tha se garancia se paqja mund të rivendoset vjen vetëm me zbatimin e marrëveshjeve të Minskut.

“Gjithçka që duhet të bëjë Kievi është të ulet në tryezën e bisedimeve me përfaqësuesit e Donbasit dhe të bien dakord për masat politike, ushtarake, ekonomike dhe humanitare për t’i dhënë fund këtij konflikti. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë.”– deklaroi Putin, citon RT.

Vetëm pak çaste pas komenteve të Putinit, liderët në rajonet e Donetsk dhe Lugansk njoftuan se po udhëzonin civilët të evakuoheshin përtej kufirit me Rusinë, me pretendimin se trupat e qeverisë ukrainase do të nisin një ofensivë.

Sipas Denis Pushilin, kreut të Republikës Popullore të Donetskut të panjohur, forcat besnike të Kievit “janë të paracaktuara tani për luftime dhe të gatshme për të marrë Donbasin me forcë”.

“Kjo është arsyeja pse duke filluar nga sot, 18 shkurt, është organizuar një evakuim masiv i njerëzve në Federatën Ruse.”- tha ai, duke shtuar se prioritet do t’u jepet grupeve vulnerabël si gratë, fëmijët dhe të moshuarit.

Vendet perëndimore kanë pretenduar për muaj të tërë se Rusia po përgatit një pushtim ushtarak të Ukrainës dhe zyrtarët amerikanë këmbëngulin se Moska mund të stisë një ofensivë ushtarake nga Ukraina, për të krijuar një pretekst për të nisur sulmin. Moska megjithatë i ka hedhur poshtë vazhdimisht akuzat.

Donetsk dhe Lugansk shpallën autonominë e tyre nga Kievi në vitin 2014 pasi protestat e dhunshme në rrugë rrëzuan qeverinë. Sipas kushteve të marrëveshjeve të Minskut, të nënshkruara më vonë atë vit, Kievi duhet të zhvillojë bisedime me udhëheqësit separatistë për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme paqeje.