Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë e Shkodrës, ka publikuar sot spotin për promovimin e fushatës së tij që nis zyrtarisht më 19 shkurt.
Në spot shfaqen momente të takimeve të ndryshme që Bushati ka zhvilluar me qytetarët shkodranë në ditët e fundit, ndërsa bëhet me dije se aktiviteti i hapjes së fushatës së tij do të organizohet në Pedonalen e qytetit. I pranishëm do të jetë dhe kryedemokrati Lulzim Basha.
“Për Shkodren e ndryshimit, të bashkimit dhe të fitores.
Këtë të Shtunë, ora 11:00, në Pedonalen e qytetit (përballë ‘Hotel Colosseo’), kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Bushati, ju fton në hapjen e fushatës dhe shpalosjen e programit të tij.
I pranishëm edhe kryetari i Partisë Demokratike, Z. Lulzim Basha.
Shkodra nuk ka kohë më për të humbur.
Shkodra duhet të ndryshojë dhe vetëm bashkë mundemi!”– thuhet në spotin e publikuar nga Bushati.
Partia Demokratike zgjodhi të kandidojë Xhemal Bushatin për zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Shkodrës më 6 mars 2022.
Ai vjen nga një familje me emër dhe me kontribute historike, asaj të Bushatlinjve, është lindur dhe ka ndërtuar jetën e karrierën tij në qytetin e Shkodrës.
Bushati është bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve, një djali dhe dy vajzave.