Trageti i linjës Greqi-Itali, ‘Euroferry Olympia‘ është përfshirë nga flakët rreth orës 04:30 mëngjesin e sotëm.
Mësohet se flakët kanë shpërthyer menjëherë pas nisjes nga porti grek ndërsa shkaqet janë ende të paqarta.
Një nga pasagjerët e anijes i cili u paraqit me probleme të frymëmarrjes është transportuar në spitalin e Korfuzit.
Gazeta Protothema raporton se në bordin e anijes ku shpërtheu zjarri ndodheshin gjithsej 290 persona (239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit). Mes tyre 22 grekë (15 pasagjerë dhe 7 anëtarë ekuipazhi) dhe pjesa tjetër ishin të gjithë të huaj. Sipas kësaj mediaje, dy persona janë bllokuar në anije. Dy të bllokuarit janë të huaj. Ata janë bllokuar në garazh, ndërsa komunikojnë me autoritetet për të arritur në kuvertë dhe prej andej për t’u marrë me helikopter.
Deputeti Stefanos Gikas tha për protothema.gr se rreth 10 persona rezultojnë të zhdukur: “Ka disa informacione të pakonfirmuara për 11 të zhdukur, megjithatë kapiteni italian i anijes pretendon se janë hipur të gjithë. Procesi i numërimit për 239 pasagjerë plus 51 anëtarë të ekuipazhit sapo ka filluar”.