Teksa prej disa ditësh politika, mediat e rrjetet sociale janë përfshirë nga çështja e inceneratorëve, kryeministri Rama ka qëndruar larg debatit duke mos komentuar shumë e duke thënë në një apo dy deklarata se ata që janë përgjegjës do përgjigjen personalisht duke hequr çdo përgjegjësi nga vetja.
Ditën e sotme ai ka përzgjedhur një ‘kleçkë’ për të larguar sadopak vëmendjen nga debati për inceneratorët.
Ai ka publikuar një video me mendimet e qytetarëve lidhur me legalizimin e kanabisit, një temë që provokon debat e që vjen pak ditë pas dënimit të ish-ministrit të Brendshëm Tahiri me 3.4 vite burg për shpërdorim detyre.
Në videon e shfaqur nga kryeministri në Facebook, pjesa dërrmuese e qytetarëve shprehen pro legalizimit të kanabisit pë qëllime mjekësore me vetëm dy prej tyre që shprehen kundër.
Duhet thënë se kreu i qeverisë ka qenë prej ditësh në një vizitë në SHBA ndërsa ka munguar në seancat e fundit në Kuvend ku temë kryesore e debatit kanë qenë inceneratorët.