Vendosni fjalën kyçe....

ARRSH: Të hënën nisin punimet në segmentin Elbasan–Librazhd, janë marrë masat për trafikun


Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se ditën e hënë, do të fillojnë punimet emergjente në segmentin rrugor Elbasan–Librazhd në Murrash, të cilat do të zgjasin deri më datë 20 Mars.

Përmes një njoftimi për mediet, ARRSH thotë se janë marrë të gjitha masat për menaxhimin e trafikut.

“Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti.”- thuhet në njoftim.

Sipas ARRSH-së, këto punime do të kryhen me qëllim përforcimin e pjerrësisë për të mbrojtur rrugën nga rrënia e shkëmbinjve të përmasave të ndryshëm.

Njoftimi i ARRSH-së:

Duke nisur nga dita e hënë, datë 21.02.2022, fillojnë Punimet Emergjente në segmentin rrugor Elbasan–Librazhd në Murrash, të cilat do të zgjasin deri në datë 20.03.2022.

Qëllimi i këtij Projekti Emergjence është përforcimi i pjerrësisë për të mbrojtur rrugën nga rrënia e shkëmbinjve të përmasave të ndryshëm.

Mbrojtja e skarpatave do të bëhet nëpërmjet barrierave, të cilat do të vendosen/instalohen në shpat dhe do të përdoren për të mbajtur shkëmbinj të mëdhenj me energji të lartë kinetike. Barrierat e propozuara të rënies së shkëmbinjve kanë një lartësi prej 4 m dhe mund të thithin një energji goditjeje deri në 1000 kJ. Kjo lloj mbrojtjeje e shpatit do të përdoret në zonat më të rrezikuara nga km 25+575 deri në km 26+155 dhe nga km 26+650 deri në km 26+800.

Janë marrë masat për Menaxhimin e Trafikut së bashku me Policinë Rrugore në zonën ku do të implmentohen punimet për Projektin e mbrojtjes së skarpatave. Është vendosur dhe sinjalistika provizore nga km 25+000 deri në km 27+500.

Punimet do të kryhen në 2 zona dhe menaxhimi i trafikut do të bëhet për dy segmente sipas skemave përkatëse bashkëngjitur:

‐ Zona I ‐ Segmenti nga km 25+300 deri në km 26+400.

‐ Zona II ‐ Segmenti nga km 26+350 deri në km.27+050.

Kërkojmë mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti.