Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuza kandidates së PS-së në Durrës: Përgjegjëse për jetët e humbura gjatë tërmetit të 2019-ës


Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar kandidaten e PS-së në Durrës për zgjedhjet e 6 marsit se e mbushi qytetin me mbeturina të cilat i digjte natën.

Gjatë një takimi me banorët e Manzës, ai tha se Sako ka qenë kryeinspektore e ndërtimeve të dëmtuara nga tërmeti i shtatorit 2019 e më pas ato ndërtesa të dëmtuara u kushtuan jetën dhjetëra banorëve në tërmetin e nëntorit 2019.

“Përfaqësuesja e Edi Ramës çfarë bëri ajo? Jo vetëm solli plehrat këtu e i digjte natën dhe mbulonte qytetin me helme toksike, nuk vjen rastësisht ajo kandidate. Ajo është kryeinspektorja e të gjitha ndërtimeve të dëmtuara nga tërmeti i shtatorit 2019. Ishin pikërisht ndërtesat e dëmtuara që morën shpirtrat e qytetarëve me tërmetin e nëntorit, sepse kjo u tregua e papërgjegjshme, sepse banorët u lanë aty, që një tërmet tjetër t’u merrte jetën.” – tha Berisha.

Ai shtoi më tej se qeveria e bashkia po abuzojnë sërish me ndihmat pas tërmetit duke akuzuar kryeministrin Ram se po bën atë që nuk e ka bërë as Enver Hoxha.

“Ju e keni parë vetë se si u trajtuan ndihmat për tërmetin. Ju e keni përjetuar në kurriz që nga Kepi i Rodonit e deri këtu. Dhe tani shtëpitë e rindërtuara duan t’ua japin sikur janë të shtetit. E keni dëgjuar që ato nuk mund t’i shisni, por ky është një akt antikushtetues, antiligjor, çnjerëzor. Shtëpia o është o s’eshtë e jotja, por këtë mund ta bëjë vetëm Edi Rama që ka psikologjinë e etërve të tij. Kur rrënohet shtëpia çdo shtet ndihmon banorët, qoftë diktaturë, qoftë vend i lirë, ndërton shtëpitë e shkatërruara. As Enver Hoxha nuk e ka bërë një gjë të tillë.” – shtoi Berisha.