Ish-kryeministri Berisha ka akuzuar kryeministrin Rama për çështjen e inceneratorëve duke e quajtur atë një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e vendit.
Gjatë një takimi për prezantimin e kandidatit Ardian Muka në Hamallaj të Durrësit, ai tha se asnjë prej inceneratorëve nuk punon edhe pse bëhet fjalë për 420 milionë euro, aferë ku shtoi Berisha janë të përfshirë Rama, Agaçi, Ahmetaj, Veliaj, Koka, Gjiknuri e të tjerë zyrtarë.
“Historia e djegësave është një nga vjedhjet më të mëdha në historinë e këtij vendi. 420 milionë euro, asnjë djegës nuk funksion, asnjë nuk punon. Keni dëgjuar mediat dhe komisionet që gjejnë se x apo y ka harxhuar 500-600 mijë euro udhëtim etj, ato janë të vërteta, por e vërteta madhe është tjetra. Nëse ata kanë vjedhur në këtë aferë, ata kanë vjedhur me valixhe, kurse qeveritarët kanë vjedhur me baule të mëdha. Paratë tuaja, taksat tuaja, për t’i vjedhur dhe shpërdoruar në atë mënyrë ua ka dhënë Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj dhe së fundi ka kontribuar dhe zonja Sako me 10 milionë. 600-700 mijë euro bileta, qindra mijëra euro ‘Range Rover’. Ata e dinin se Edi Rama, Arben Ahmetaj, Erion Veliaj, Lefter Koka, Damian Gjiknuri ata kanë mbushur baulet me euro dhe nuk mund t’u thoshin asnjë fjalë atyre për ato që bënin. E gjitha është vjedhje e tmerrshme shtetërore e kreut të qeverisë, e Engjëll Agaçit më kryesorët dhe ministrave të iu përmenda emrin.” – tha Berisha.