Vendosni fjalën kyçe....

“Do ta ringrijë qytetin në piedestalet e krenarisë që i takon” – Vajza e tij hap fushatën e kandidatit të PD-së për Shkodrën, Xhemal Bushati


Fushata e kandidatit të Partisë Demokratike për Shkodrën Xhemal Bushati, është hapur me një fjalim nga vajza e tij, Genta.

Gjatë fjalimit të saj para të gjithë demokratëve, Genta Bushati e cila studion mjekësi, tha se është me shumë fat që ka në bazat e saj kontributin e një njeriu si Xhemal Bushati. Ajo thotë se pret që të njëjtin kontribut sa ndaj saj e familjes babai i saj “me aq dashni do ia përcjellë edhe Shkodrës”. Sipas saj, më shumë se kurrë Shkodra ka nevojë për dikë punëtor dhe të ndershëm në krye të saj dhe shprehu besimin se babai do e ringrejë Shkodrën në piedestalin që i takon.

“Mirëdita të gjithëve! Nuk është e lehtë aspak me fol për një kandidat për kryetar Bashkie të qytetit ku ke lindur, je rritur dhe do, dhe aq më pak e lehtë është të flasësh kur ky person është babi yt. Jo se nuk ke për ça të flasësh, tërësisht e kundërta, ke aq shumë dëshirë dhe krenari, e mbi të gjitha emocione pafund. Du t’jem shumë e sinqertë në ato ç’ka them, e mbi t’gjitha du t’i them babës tem ktu përballë, që është ndër ditët ma të lumtuna të jetës teme, tek t’shoh ty ktu, pas kaq shumë sakrificash që t’mbaj mend që e vogël duke ba për ne dhe gjithë njerëzit që të kanë rrethu, sot, pasi na rrite ne dhe po i gzohesh mbesës, po ban atë çka ke pas dëshirë gjithmonë, me tu dhan mundësia me ba ma t’mirën për Shkodrën, që unë e di sa ti e don, se dashninë për të, vetëm ti mund të ma msoshe aq bukur.

Të nderuar, unë jam Genta Bushati, vajza që i ati e trajton akoma si të vogël, por sot studente mjekësie në Mynih, dhe në çdo arritje temen, çdo përkushtimin timin shoh nanën dhe babën tem t’pasqyrum me gjithë përpjekjet e tyne titanike për të na rrit si njerëz dhe qytetarë të denjë. Sot po ju shkëpus për pak minuta nga politika, programet, planet dhe kam vetëm dy fjalë të sinqerta, paçka se baba jem do donte të isha në bibliotekë mes librash.

Sigurisht, që është krenari të jem këtu mes jush, në një moment kaq kritik dhe të rëndësishëm për Shkodrën. Shkodrën e njohim si krenaren e pamposhtur që i mbijetoi shekujsh, motesh e vitesh dhe mbërrin këtu mes nesh zonj‘ e rand. Por ne nuk mundet të na mbajë vetëm historia dhe kujtimet e të parëve gjallë. Ne duhet të mësojmë të ecim përpara, të përshtatemi dhe ringrihemi bazuar në vlerat e trashëguara drejt një të ardhme më të mirë për mua, bashkëmoshatarët e mi, për fëmijët tuaj. Ju, sot nuk votoni më sepse thjesht po ndjekni ideologji apo bindje të caktuara, ju votoni administratorin e qytetit që ju bën krenar dhe tek i cili i besoni çelësin e historisë dhe dinjitetit që ju buron nga rrënjët tuaja. Është moment kritik, dhe këtë nëse nuk e ndjeni dot, shikoni përreth dhe numëroni të rinjtë që shikoni rrugëve të Shkodrës. Shkodra me të vërtetë është zonjë e rand‘ por kjo nuk do të thotë që duhet të lëmë votrën të plaket e Shkodrën të vdesë. Shkodra duhet te gumezhije me zera te rinjsh, Shkodrës duhet t’i rikthehet e ardhmja, Shkodra duhet të ofrojë mundësi që të gjithë të rikthehen në habitatin e tyre, Shkodra duhet të jetë jo vetëm votra e gjyshërve dhe muzika që mbajmë mend nga fminia, por duhet të jetë ndalesa, qendra, graviteti që na ripret tek rikthehemi edhe këtë herë me mundësi plot. Për mua ky duhet të jetë synimi i gjithsesicilit kandidat, por e di të sigurtë që është premtimi i babës tim karshi meje.

Tek shoh tim atë që i kërkon vetëbesimin Shkodrës, shoh një njeri të ndershëm, krenar, dinjitoz. Do thoni ju, pse kaq pak modeste? Sepse ashtu ndihem, me fat, me shumë fat që kam në bazat e mia kontributin e një njeriu si babi im. Për asnjë çast të jetës sime nuk di të më ketë mësuar asgjë tjetër përveçse se moralit të kulluar, punës së palodhur, përkushtimit të panegociushëm, krenarisë që duhet fituar, bashkëpunimit që duhet gjetur mes miqsh të mirë dhe të drejtë. Unë pres, di dhe dua që të njëjtin kontribut, me aq dashni ai do ia përcjellë edhe Shkodrës, sepse më shumë se kurrë Shkodra ka nevojë për dikë jo vetëm qytetar, por punëtor dhe të ndershëm.

Tek im atë, dhe këtë mendojeni gjithnjë, nuk gjeni thjesht burrin serioz që i është përkushtuar politikës, biznesit apo administrimit, por gjeni bashkëshortin, babin dhe gjyshin e një njeri që ia ka dalë të ndërtojë një familje e cila ndihet krenare për të, në Shkodrën e tij, mes shkodranve të tij, jam e bindur që do ia dalë ta ringrijë Shkodrën në piedestalet e krenarisë që i takon.”- tha vajza e kanbdidatit për kryetar bashkie.