Një 46-vjeçar është gjetur i pajetë këtë të shtunë në banesën e tij. Siç ka bërë me dije Policia e Vlorës, ka qenë nëna e viktimës e cila e ka gjetur të birin pa jetë. Mësohet se tetë ditë më parë, ai ishte shpallur i humbur.
“Më datë 19.02.2022, është gjetur i pajetë, në banesë, nga nëna e tij, shtetasi A. A.,46 vjeç , banues në lagjen ‘24 Maji’, i cili ishte shpallur i humbur më datë 11.02.2022.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”– thuhet në njoftimin paraprak të Policisë.
Sikurse raporton televizioni “News 24”, viktima është identifikuar si Altin Alikaj, një ish-ushtarak. Ai ishte shpallur i humbur nga kushëriri i tij në Policinë e Vlorës, që nga data 11 shkurt.
Banesa ku ai jetonte nuk ishte kontrolluar nga policia edhe pse ishte denoncuar i humbur prej 8 ditësh. Ka qenë nëna e cila ka udhëtuar nga Greqia drejt Vlorës për të gjetur djalin e zhdukur të pajetë në banesë.
$6-vjeçari dyshohet se është vrarë pasi plaga pas koke që i ka shkaktuar edhe vdekjen ka qenë e thellë. Ai dyshohet se është goditur me një sëpatë.
Aktualisht policia po merr në pyetje fqinjët e viktimës dhe të njohur të tij, për të zbardhur ngjarjen në fjalë.