Nuk kanë munguar në edicionet e lajmeve kronikat ku Kryeministri promovon Rindërtimin. Vizitat dhe batutat fare pa shije, sidomos po të mendojmë që njeriu që i ushqen ato është përdorues i mirë i fjalës, fare lehtësisht mund të ngatërrohen me degradimin.
Në fakt po të informohemi dhe të mendojmë pak më gjatë, nuk do të gjejmë aty asnjë degradim, por thjesht një strategji të mirë studiuar për arritjen e qëllimit.
Sipas studimit Andrew Healy dhe Neil Malhotra, të cilët i referohen të dhënave mbi katastrofat natyrore, nga korelacioni i shpenzimeve buxhetore dhe fitoreve në zgjedhje, qartazi tregohet se votuesit shpërblejnë partinë në pushtet ose në detyrë më tepër kur shpenzimet publike shkojnë për riparuar dëmet e katastrofave, sesa në politika dhe investime për rritjen e gatishmërisë për përballimin e tyre.
Edhe pse 1 dollar i shpenzuar për të përmirësuar gatishmërinë, ul dëmet e shkaktuara nga katastrofat me 15 dollarë, “votuesit” shpërblejnë partitë në pushtet për këto të fundit. Edhe pse ekonomikisht është paradoksale, biles ofenduese për racionalitetin me të cilin jemi mësur ta veshim veten si votues, faktet janë kokëforta, përballimi i dëmeve me paratë e buxhetit është 15 herë më i shtrenjtë por më frytdhënës politikisht sesa politikat parandalimit apo të mbulimit paraprak të tyre.
Ky iracionalitet, i cili paguhet me rritjen e borxhit, i bën katastrofat natyrore ngjarjet me fatlume për politikanët letargjikë e të paaftë për hartim politikash, pasi u jep mundësinë të sillen si Jesusi i zbritur ndër fatkeqë.
“I veshur si Jesusi” ai do të marrë në emrin tonë “15 dollarë borxh”, kjo jo vetëm për shkak të fatkeqësisë por më së shumti sepse nuk dinte apo nuk donte të drejtonte veprimet tona drejt harxhimit të “1 dollari” për të marrë masat e duhura.
Pra sado të pakënaqur, nerva gricur, të bezdisur, të jemi me Kryeministrin i cili është lodhur nga kostumi i Kryeministrit edhe ka filluar t’i pëlqejë kostumi i Zotit, votat dhe sigurimi i pushtetit “e detyrojnë” atë të na vendosë festën siç e kemi kokën.