Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin thotë se Rusia e ka marrë një vendim dhe po lëviz për të kryer një sulm ndaj Ukrainës.
Duke folur për mediet pas një takimi në Vilnius të Lituanisë, Austin tha se ishte e qartë se Rusia kishte marrë një vendim dhe po lëvizte në pozicionet e duhura për të kryer një sulm ndaj Ukrainës.
“Ata janë duke u zbërthyer dhe tani gati për të goditur.”– tha Austin, citon CNN. “Nëse shikoni qëndrimin e tij sot, duket se Putin ka marrë një vendim dhe ata po lëvizin në pozicionet e duhura për të kryer një sulm.”
Austin përsëriti komentet e bëra më herët nga presidenti amerikan Joe Biden se presidenti rus Vladimir Putin kishte vendosur të pushtonte Ukrainën pas disa javësh.
Austin dhe të tjerët në SHBA vazhdojnë të thonë se diplomacia është ende e mundur për të ndalur tensionet, dhe ai shtoi: “Unë besoj se ne duhet të përpiqemi deri në minutën e fundit, derisa të mos jetë më e mundur”.
Kujtojmë se të premten, presidenti amerikan Biden tha se ai besonte që forcat ruse synonin të sulmonin Ukrainën “në javën e ardhshme” ose më shpejt. Sipas tij Moska do të synojë kryeqytetin ukrainas të Kievit.
“Që nga ky moment, jam i bindur se ai e ka marrë vendimin.”- tha Biden gjatë një fjalimi në Shtëpinë e Bardhë.