Vendosni fjalën kyçe....

Xhemal Bushati: Nuk i paskam ditur të gjitha problemet e Shkodrës, ju kam dhënë besën t’i zgjidhim sëbashku


Në hapjen e fushatës së tij për kryetar bashkie në Shkodër, kandidati i PD-së Xhemal Bushati tha se pas takimeve që ka zhvilluar me qytetarët ka zbuluar se nuk i kishte ditur të gjitha problemet e shkodranëve.

Pavarësisht se edhe vetë është një qytetar i Shkodrës.

Gjatë fjalës së tij, Bushati tha se do të punojë me një program emergjent për Shkodrën dhe të zgjidhë të gjitha problematikat.

“Të nderuar vëllezër dhe motra, qytetarë të Shkodrës, të rinj dhe të reja, besoj që nuk kam nevojë të prezantohem me ju, se shumë nga ju i njoh, i kam takuar dhe në këto ditë të bukura u kam shtrënguar edhe dorën, i kam parë edhe në sy. Kemi biseduar për problematikat, për hallet, për ndasitë, por më shumë kemi biseduar për vlerat, për ato që na bashkojnë të gjithëve.

Shkodranët janë të mençëm, nga Shala në Velipojë, nga Shoshi në Anë të Malit apo Gur të Zi, që nga Pulti, Rrethinat e deri në Postribë, dhe e gjithë Shkodra, në takimet që kam pasur më kanë kërkuar besën që t’ja kthejmë qytetarëve bashkinë e Shkodrës, që të punojmë të gjithë së bashku për bashkinë e Shkodrës. Vetëm të gjithë sëbashku mund të ecim përpara për Shkodrën dhe unë ju kam dhënë besën të gjithë shkodranëve që bashkë do të punojmë: Me Dashni për Shkodrën, me përkushtim. Ky është slogan, por nuk është slogan. Është detyra jeme!

Janë themelet që unë do të punoj. Do të punoj në tri shtylla, në një program emergjent për Shkodrën, t’i shërbejmë të sotmes dhe të projektojmë të ardhmen të gjithë bashkë.

Në gjithë takimet, unë si qytetar i Shkodrës kam menduar se i di të gjitha problematikat. Jo nuk i kisha ditur të gjitha, shkodranët i dinë të gjitha problemet e Shkodrës. Bashkë do t’i zgjidhim problemet e Shkodrës në një program emergjent, përmirësimi i infrastrukturës, i territorit, i qarkullimit, i sinjalistikës, do të jetë një nda detyrat tona që t’i zgjidhim në këtë program emergjent.

Një qytet më të pastër për qytetarët e Shkodrës, vizitorët e Shkodrës, për turizmin në Shkodër. Të gjithë bashkë do të rishikojmë, do të shohim nevojat, rishikojmë buxhetin, të bëjmë më të mirat për Shkodrën.”- tha Bushati.