Vendosni fjalën kyçe....

Gjendet i varur në qelinë e tij në Paris, bashkëpunëtori i ngushtë i Jeffrey Epsteinit


Gjendet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Paris, pronari i agjencisë së modeleve Jean-Luc Brunel, i njohur dhe si bashkëpunëtor i ngushtë i financierit të ndjerë amerikan Jeffrey Epstein.

Siç shkruan BBC, Jean-Luc Brunel u gjet i varur në qelinë e tij në burgun La Santé në orën 01:00 të së shtunës. 76-vjeçari ishte mbajtur prej më shumë se një viti në burg, pasi ishte duke u hetuar për përdhunim të të miturve dhe trafikim të tyre për shfrytëzim seksual.

Brunel kishte mohuar çdo akuzë. Avokatët e Brunel thanë se ai ishte “dërrmuar” nga akuzat dhe fajësuan “sistemin mediatiko-gjyqësor”.

Brunel bashkëthemeloi agjencinë franceze të modelimit Karin Models në vitin 1977 dhe MC2 Model Management në SHBA me financim nga Epstein.

Brunel u ndalua në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit në dhjetor të vitit 2020 teksa po përpiqej të hipte në një fluturim për në Senegal.

Arrestimi i tij ishte pjesë e një hetimi mbi akuzat për trafikim seksual dhe sulm seksual kundër Epsteinit, duke u fokusuar në krimet e mundshme të kryera kundër viktimave franceze dhe të dyshuarve që janë shtetas francezë. Prokurorët e akuzuan Brunelin për përdhunim, sulm seksual dhe ngacmim seksual të shumë të miturve dhe të rriturve. Ata gjithashtu dyshuan se ai transportonte dhe strehonte vajza të reja për Epsteinin.

Kujtojmë se Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në një burg të Nju Jorkut në vitin 2019 teksa priste të dilte në gjyq mbi akuzat se drejtonte një rrjet të trafikimit seksual.