Vendosni fjalën kyçe....

“Ka kërcënime për sulme në Moskë” – Ambasada amerikane këshillon shtetasit amerikanë të bëjnë kujdes


Misioni diplomatik i SHBA-së në Rusi paralajmëroi të dielën për ‘sulme’ të mundshme ndaj hoteleve, stacioneve të metrosë dhe objektivave të tjera në qytetet kryesore të Rusisë.

SHBA-ja ia atribuoi këto pretendime ‘burimeve mediatike’ të paspecifikuara dhe paralajmëroi qytetarët amerikanë që të përgatisin ‘plane evakuimi’, por Ministria e Jashtme e Rusisë ka vënë në dyshim alarmin e Uashingtonit.

“Sipas burimeve të medias, ka pasur kërcënime për sulme kundër qendrave tregtare, stacioneve hekurudhore dhe metrosë, dhe vendeve të tjera të grumbullimit publik në zonat kryesore urbane, duke përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun”, thuhet në një mesazh nga misioni i SHBA-së në Rusi. Përveç kërcënimit të supozuar, alarmi paralajmëroi amerikanët për ‘tension të rritur përgjatë kufirit rus me Ukrainën’.

Prej afro një muaji SHBA-të i kanë këshilluar amerikanët që të mos udhëtojnë në Rusi dhe nëse janë në vështirësi të kërkojnë ndihmën e ambasadës apo konsullatës amerikane.

Megjithatë, alarmi i ri shton një listë veprimesh të reja që duhet të ndërmarrin amerikanët, duke përfshirë udhëzimet për të ‘shmangur turmat’, ‘qëndrimin e kujdesshëm në vendet e vizituara nga turistët’ dhe ‘të kenë plane evakuimi që nuk mbështeten në ndihmën e qeverisë amerikane’.

Natyra e kërcënimit të supozuar është e paqartë dhe nuk është menjëherë e qartë se cilave ‘burime mediatike’ i referohet alarmi. Në një postim në Telegram, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova pyeti nëse ambasada i ka njoftuar autoritetet ruse për këtë kërcënim të supozuar, dhe nëse jo, “si duhet kuptuar kjo?”

As agjencitë lokale dhe as ato ndërkombëtare të lajmeve apo mediat kryesore nuk kanë publikuar ndonjë raport që paralajmëron për sulme të mundshme në Moskë apo Shën Petersburg deri më tani.

Alarmi i ambasadës vjen në një moment kritik për marrëdhëniet SHBA-Rusi. Mes një shpërthimi dhune midis forcave ukrainase dhe rajoneve separatiste Donetsk dhe Lugansk në Ukrainën lindore, Uashingtoni po paralajmëron, siç ka bërë prej disa javësh, se një pushtim rus i Ukrainës është i pashmangshëm.

Megjithëse data të shumta të përmendura nga Uashingtoni si pika fillestare për këtë pushtim kanë kaluar pa asnjë incident, vija zyrtare nga Shtëpia e Bardhë mbetet se Moska do të urdhërojë një ofensivë ushtarake ‘në ditët e ardhshme’.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka akuzuar forcat pro-ruse në Donetsk dhe Lugansk për fillimin e armiqësive në një përpjekje për të ‘provokuar’ Kievin në konflikt, ndërsa udhëheqësit ushtarakë në këto rajone kanë akuzuar forcat ukrainase se kanë qëlluar të parat.

Të dyja palët, të cilat teknikisht kanë qenë në konflikt që nga viti 2014, kanë akuzuar njëra-tjetrën për bombardime dhe sabotim.