Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi: Erion Veliaj ka siguruar pagesë 30-vjeçare për inceneratorin e Tiranës, SPAK të hetojë e të bllokojë pagesat


Kryetarja e LSI-së ka deklaruar sot se kryebashkiaku Veliaj, pa miratimin e Këshilli Bashkiak i ka siguruar inceneratorit të Tiranës një pagesë për 30 vite.

Kryemadhi shton më tej se ish-ministri Lefter Koka, ka marrë 500 mijë euro qokë nëpërmjet dy kompanive fiktive.

Ajo i bën thirrje SPAK-ut të urdhërojë qeverinë e bashkinë që të ndalojnë pagesat ndaj inceneratorit.

Po kështu Kryemadhi shkruan se prokurorët e SPAK-ut duhet të ngrihen në lartësinë e detyrës pavarësisht intimidimit nga ana e Veliajt.

“Nga njëra anë rriste taksat, e nga ana tjetër, Erion Veliaj i siguronte me firmën e tij, pa miratimin e Këshillit Bashkiak, një pagesë minimale të garantuar për 30 vjet, inceneratorit të Tiranës.

Lefter Koka, tashmë me CV të pasur nga Elbasani dhe Fieri, ka përfituar deri në dhjetor 2021, të paktën 500 mijë euro nga inceneratori i Tiranës. Po po, është e vërtetë, mos u habisni, ish Ministri Koka ka marrë qokë 500 mijë euro deri në atë moment, përmes dy kompanive fiktive të lidhura me të, PIVOT-04 dhe A.S Group. SPAK duhet menjëherë të urdhërojë Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës të ndalojë pagesat ndaj inceneratorit, roli i vetëm i të cilit ka qënë qarkullimi i parave nga buxheti i Qeverisë dhe Bashkisë në xhepat e Rilindjes! Ruaj bindjen e plotë, se edhe përtej intimidimit nga qeveria dhe Erion Veliaj, i cili është kapur edhe në përgjim duke prezumuar se ka nën kontroll prokurorët e SPAK, ata do të dijnë të ngrihen në lartësinë e detyrës. Kanë mbështetjen time të plotë dhe inkurajoj të gjitha institucionet vendase dhe të huaja, t’i shprehin publikisht mbështetjen në këtë moment vendimtar! Ky është moment integriteti, dhe e vërteta do na çlirojë të gjithëve!” – shkruan Kryemadhi në Facebook.