Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sërish ka kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, në mënyrë që të zbardhet fati i personave të pagjetur. Ai ka argumentuar se krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishin “krime të kryera nga shteti i Serbisë” dhe theksoi se hapja e këtyre arkivave është domosdoshmëri.
Në një panel në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku u diskutua për drejtësinë tranzicionale, Kurti tha se Kosova e ka prioritet drejtësinë tranzicionale.
Në këtë drejtim ai përmendi disa nga nismat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës siç është ajo për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës, hartimin e Strategjisë Kombëtare për Drejtësi Tranzicionale, themelimin e Komisionit për hulumtimin dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shkatërruar gjatë luftës së viteve 1998-1999 dhe fuqizimin e Departamentit të Krimeve të Luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.