Rrjetet sociale gëluan ditën e sotme duke ironizuar kreun e PD-së Basha lidhur me një deklaratë tijën para se firmoste formularin për dekomunistizimin në ditën e 20 shkurtit që simbolizon rrëzimin e shtatores së Enver Hoxhës.
E gjithë zhurma erdhi pas publikimit të një fotoje që tregonte një lajm të portalit Dritare.net dhe kishte titullin: “Basha firmos peticionin për dekomunistizimin: Nuk e harroj atë ditë, kam qenë me pantallona të shkurta kur tërhoqa litarin bashkë me studentët.”
Në fakt bëhet fjalë për një ‘Fake News’ që e ka zanafillën nga një meme që ngatërroi mediat dhe përdoruesit e rrjeteve sociale.
Në të vërtetë lajmi i Dritare.net lidhur e veprimtarinë ku mori pjesë kreu i PD-së Basha ka titullin: “Basha firmos peticionin për dekomunistizimin: Nuk e harroj atë vit, kam qenë këtu!”
Nëse dëgjon fjalën e plotë të kreut të PD-së para firmosjes së peticionit, në asnjë rast ai nuk e ka deklaruar një gjë të tillë siç shkruhet në memen e shpërndarë masivisht.
Ai pohon se ka qenë në shesh ditën kur është rrëzuar shtatorja e Enver Hoxhës bashkë me familjarët e tij, edhe pse në pika të ndryshme të sheshit.
*Fjalën e plotë të kreut të PD-së Basha mund ta lexoni këtu: Fjala e Bashës