Rusia dhe Bjellorusia do të zgjasin stërvitjet ushtarake, që ishin planifikuar të përfundonin të dielën, më 20 shkurt, tha ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë.
Ky njoftim po shihet si rritje e presionit ndaj Ukrainës, derisa liderët perëndimorë po paralajmërojnë se pushtimi rus është i pashmangshëm.
Ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Khrenin, tha se vendimi për zgjatjen e ushtrimeve është marrë “në lidhje me rritjen e aktivitetit ushtarak pranë kufijve të jashtëm” të Rusisë dhe Bjellorusisë dhe për shkak të rritjes së tensioneve në rajonin Donbas, në lindje të Ukrainës.
NATO ka thënë se Rusia ka dislokuar 30,000 trupa në Bjellorusi, të cilat mund të përdoren për sulmin ndaj Ukrainës, edhe pse Moska mohon se ka plane të tilla.