Vendosni fjalën kyçe....

“Rusia dhe Kina duan të krijojnë rend të ri botëror” – BE kritikon afrimin Moskë-Pekin


Rusia dhe Kina janë dy fuqi ‘revizioniste’ që përpiqen të ndryshojnë rendin e tanishëm botëror, ka pohuar Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme, tre javë pasi Moska dhe Pekini bënë një deklaratë të përbashkët duke denoncuar shumë aspekte të politikës së jashtme të Uashingtonit, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund ‘ndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve sovrane’.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Mynih të dielën, Josep Borell paralajmëroi se rendi i tanishëm liberal shumëpalësh botëror është në rrezik, sepse miqësia midis qeverive ‘autoritare’ ruso-kineze po sfidon normat e arkitekturës ekzistuese globale.

“30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ne po përballemi me një përpjekje të vendosur për të ripërcaktuar rendin shumëpalësh”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së.

“Kjo deklaratë është kulmi i një fushate të gjatë. Është një akt kundërshtimi. Është një manifest revizionist, manifest për të rishikuar rendin botëror.” – shtoi ai.

Më 4 shkurt, pas një takimi tre-orësh në Pekin, presidenti rus Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping nënshkruan një deklaratë të përbashkët, në të cilën të dy liderët shprehën dakordësinë për çështje të shumta të zhvillimit të qëndrueshëm global dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.

Ndër të tjera, Putin dhe Xi ranë dakord të kundërshtojnë ‘abuzimin e vlerave demokratike dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve sovrane nën pretekstin e mbrojtjes së demokracisë dhe të drejtave të njeriut dhe çdo përpjekje për të nxitur përçarje dhe konfrontim në botë’.

Ata gjithashtu i bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar ‘të respektojë diversitetin kulturor dhe qytetërues’ dhe ‘të drejtat e popujve të vendeve të ndryshme për vetëvendosje’.

Pekini mbështeti gjithashtu kërkesën e Rusisë për të ndaluar zgjerimin drejt lindjes të bllokut të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, ndërsa Moska përsëriti qëndrimin e saj për pandashmërinë e Kinës, duke mohuar pretendimet e Tajvanit për pavarësi.

Sipas Borrell, deklarata e përbashkët është në kundërshtim me përkufizimin e Kartës së OKB-së për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.

Zyrtari pohoi se marrëveshja e Pekinit dhe Moskës për të kundërshtuar ‘revolucionet’ është e paligjshme, sepse do të shkelte të drejtat e individëve për vetëvendosje. Ai kritikoi gjithashtu sloganin e Kinës ‘demokracia që funksionon’, duke vënë në pikëpyetje pretendimin e vendit për të pasur një ‘kulturë dhe histori njëmijëvjeçare të demokracisë’.