Deputetja e PD-së Jorida Tabaku duke folur për mediat mbi hetimet për inceneratorët deklaroi se procedura është e gjitha një skemë piramidale ku janë krijuar një grup kompanish me qëllim për të fshehur se ku kanë shkuar paratë.
Ndërsa Lefter Koka sipas saj ka qenë kokë turku që çonte paratë te kompanitë e veta, ndërsa zyrtarë të tjerë janë treguar më të zotë.
“Pagesat që kanë ardhur nga librat e blerjeve të kompanive tregojnë se të tre inceneratorët kanë paguar veten, një grup kompanish të tyre. Kjo është një skemë piramidale për të fshehur se ku shkojnë realisht paratë. Lefter Koka ishte koka e turkut se ia çonte lekët drejtpërdrejt vetes. Këta janë treguar pak më të zotët, ia kanë çuar Zotos dhe Mërtirit dhe pastaj ata paguanin zyrtarët qeveritarë”-tha Tabaku.
Më tej Kryetarja e Komisionit Hetimor tha Rama ka përgjegjësi morale në mos ligjore për Inceneratorët.
Tabaku tha se një grup zyrtarësh kanë refuzuar të firmosin shkresa dhe kanë dhënë për komisionin informacion që nuk i merrte dot.
“Ne provuam që Autoriteti i Konkurrencës deklaroi që procedura prokurim pa shpallje nuk ekziston në Shqipëri. Si mundet të thonë që mban përgjegjësi këshilli i ministrave kolektive dhe asnjë prej ministrave individuale. A e dini që Edi Rama ka frikë t’i firmosë vendimet? I firmos gjithmonë zëvendës kryeministri. Po diku është firma e tij. Por edhe nëse s’ka përgjegjësi ligjore, a ka përgjegjësi morale, politike që ka dalë në mbrojtje të këtyre kriminelëve në kërkim. Ne gjatë kësaj jave me dëshmitarët politikë zyrtarë, do tregojmë përgjegjësinë e tyre individuale. Këtu bëhet fjalë për përgjegjësi individuale. Dëmi është për buxhetin e shtetit Dua të falënderoj një grup zyrtarësh që kanë refuzuar të firmosin dhe që kanë sjellë informacione dhe shkresa që nuk i ka marrë dot komisioni hetimor. Zyrtarisht i kanë hequr disa shkresa nga dosjet, por i kemi marrë pa merak. Ka zyrtarë kurajozë plot administrata publike, do i shikojnë ministrat nesër në komision. Dua të falënderoj dhe një grup gazetarësh që janë përballur me padi”, deklaroi Tabaku.