Vendosni fjalën kyçe....

Shoqata e Transportit Qytetas letër qeverisë dhe bashkisë: Na plotëso këto kërkesa, ose më 1 Mars ndërpresim shërbimin urban


Shoqata e transportit qytetas ka vendosur që të ndërpresë punën në datën 1 Mars, në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohen.

Këtë të hënë, Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i ka nisur një letër kryeministrit Edi Rama, kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe disa ministrave, ku argumentojnë se si pasojë e rritjes së çmimit të naftës, kostot e tyre janë rritur ndjeshëm.

Shoqata rikthen kërkesat që i ka pasur prej kohësh për qeverinë vendore dhe atë lokale, duke kërkuar rimbursim të TVSH-së në shitje, apo heqjen e akcizës 37 lekë për litër të karburanteve. Në rast se nuk do të ketë reagim për këto kërkesa, kjo shoqatë bën të ditur se më 1 Mars do të ndërpresë aktivitetin qytetës në Tiranë.

Kërkesat e Shoqatës së Transportit Qytetas:

  1. Rimbursimi i TVSH në shitje
  2. Heqja e akcizës 37 lekë/ litër
  3. Heqja e taksës së qarkullimit për subjektet e licencuara
  4. Rimbursimi nga ministritë e linjës lidhur me kategoritë (tetraplegjikë, paraplegjik, invalid pune, të verbët dhe studentët).