Vendosni fjalën kyçe....

Kandidati i PD-së për Durrësin Luan Hoti shpalos programin: Në 100 ditët e para dëgjesë publike për Velierën, prioritet rinia, mosha e tretë e turizmi


Kandidati i PD-së për Durrësin në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ka shpalosur pika të programit të tij.

Luan Hoti ishte i ftuar në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ në News24 ku pohoi se kandidimi i tij ka të bëjë me keqqeverisjen e Durrësit nga ana e PS-së në 21 vitet e fundit.

Ai deklaroi se në 100 ditët e para nëse zgjidhet kryebashkiak do bëjë dëgjesë publike me qytetarët ku do jenë këta të fundit që do vendosin se çfarë do bëhet më projektin e Velierës.

“Në 100 ditët e para do të bëj një dëgjesë publike me qytetarët durrsakë dhe të vendosin ato çfarë do të bëhet me Velierën. Unë do të jem zbatuesi i kërkesave të qytetarëve. Planin e përgatitur e kemi bërë me këmbë në tokë. Një dëgjesë publike është e realizueshme. Nuk dua të merrem me fushatë politike. Nuk merrem me akuzat. Unë po bëj një fushatë ku kam trokitur derë më derë. Vetëm në dhjetor të vitit të kaluar këshilli bashkiak ka dyfishuar taksat e tarifat. Qyteti kaloi dy fatkeqësi të mëdha, tërmetin dhe pandeminë. Mirë që nuk u ndihmuan, por u dyfishuan taksat.” – tha Hoti.

Kandidati i PD-së për qytetin bregdetar shtoi më tej se Durrësi ka nevojë për një administrator të mirë pasi ka mundësi të shumta për zhvillimin e mëtejshëm.

“Qyteti kërkon ndryshim. Keqqeverisja nuk ka çfarë tregon më. Zoti e ka bekuar këtë qytet, thjesht duhet një administrator i mirë. Kam pasur sukses në bizneset e mia dhe besoj që do ia dal. Kam një ekip të shkëlqyer që më mbështet. Kam në çdo fushë ekspertët më të mirë në qytet. Unë do jem kryetar bashkie. Ditën e parë do të merrem me pastrimin. Do të heq konceptin që plehrat të pastrohen vetëm natën, edhe ditën duhet të pastrohen. Kam një plan me këmbë në tokë ku do të fokusohem te vendimi për Velierën, pastrimi, turizmi, brezi i tretë, rinia. Me grupin e ekspertëve kemi bërë baza për të hedhur sytë në mandatin e ardhshëm. Duhet të rikthejmë traditën që hapësira publike të ofrojë gjithçka. Fushata është e nxehtë, por unë jam mësuar me fushatën. Vij nga strukturat, vij nga anëtar i seksionit e deri sot që jam kryetar dege. Kam bërë shumë fushata, e njoh mirë, e kam marrë me shumë vullnet, dëshirë, për të realizuar këto pika.” – tha më tej Hoti.